Basha ftesë publike Ramës:Të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit

Politikë

largea_5b0e68f9-7e32-412d-9724-157d38e442cb1454504039.jpg

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka ftuar publikisht Kryeminstrin Edi Rama për të realizuar reformën në drejtësi. Basha tha se është në pritje të kësaj ftese publike nga ana e Kryeministrit. “Ftesa duhej të bëhej nga Kryeministri në drejtim të opozitës, por ai nuk e bëri. Ndaj unë si Kryetari i Partisë Demokratike fton publikisht Kryeministrin Edi Rama të ulet në tryezë për reformën në drejtësi. Të ulemi njëlloj si në rastin e dekriminalizimit, një proces që u përshëndet nga të gjithë, megjithëse Edi Ramës iu desh një vit kohë, sa të instalonte në poste kyce apo të kandidonte për Kryetarë Bashkie persona të inkriminuar. Tashmë ky ligj është miratuar dhe nuk duhet humbur kohë me implementimin dhe vënien në zbatim të tij. Opozita është e gatshme të bëjë gjithcka në lidhje me reformën në drejtësi, por Edi Rama kërkon që të vërë drejtësinë në komandën e tij, ndaj askush sot nuk besoj më Edi Ramën që vjen vërdallë nëpër Europë duke thënë që PD nuk do reformën, apo Ilir Meta është kundër reformës”, theksoi Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së. Ai tha se një drejtësi e kapur, sikundër e kërkon Edi Rama, nuk është efektive përluftën ndaj krimit dhe korrupsionin.

Gjithashtu kreu demokrat autorizoi Kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së Edi Paloka, që në seancën plenare të ditës së enjte (4 shkurt) të kërkojë miratimin me procedurë të përshpejtuar të ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit. “Kemi rënë dakort për ngritjen e Byrosë dhe nuk ka asnjë arsye sepse kjo strukturë që do të hetojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë të zvarritet. Miliona dollarë të taksapaguesve amerikanë janë në dispozicion për trajnimin e prokurorëve dhe policisë shqiptare që do të jenë pjesë e kësaj structure”, theksoi Basha.

Gjatë fjalës së tij, kreu demokrat u ndal në sistemin shëndetësor, të cilin e cilësoi si në ditën më të zezë. “Rasti i Pogradecit tregoi se në spital mungonin edhe medikamentet bazë për ti ardhur në ndihmë të plagosurve të pak ditëve më parë. Spitalet nuk kanë pajisjet bazë, ndërsa propogandën bajate se kemi një shëndetësi në lulëzim, e përgënjeshtrojnë mijëra pacientë”, tha Basha. Ndërsa e cilësoi si kampionin e korrupsionit ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, Basha theksoi se Rama ka frikë nga realiteti pasi për të shëndetësia janë miliardat që shpërndahen për miqtë e tyre. “Cmimi i shëndetësisë falas për cdo shqiptar është 100 milionëshi që Beqaj që i ka dhënë mikut të tij. Rasti më skandaloz është ai për rimbursimin e OMEGA Farma. Vidhet shëndetësia, vidhen qytetarët.

Një urdhër verbal i Ilir Beqajt urdhëron shkrirjen e shërbimit të Urgjencës, ku sipas mjekëve shërbimi jepet me koncension dhe toka ku është urgjenca do jepet për pallat. Ne jemi në krahë të mjekëve dhe qytetarëve. Lufta për të cliruar shëndetësinë nga kthetrat e korrupsionit është një betejë që do i shkojmë deri në fund dhe së shpejti do të publikojmë edhe programin e PD për shëndetësinë”, tha Basha.

Në vijim ai kërkoi nga Prokuroria që të nisë me urgjencë hetimet në lidhje me koncensionet në shëndetësi, energjitikë, rendin e sigurinë. “I kërkojmë prokurorisë të bëjë transparencë mbi hetimet që ka nisur. Numërimi mbrapsht për këtë bandë ka nisur, ne do ti shkojmë deri në fund betejës sonë”, tha Basha.