“Rrini në shtëpi që të mos përfundojmë si Italia” apeli i fortë i Tritan Kalos që duhet ta dëgjojmë TË GJITHË

Aktualitet Botë/Rajon

Në një bisedë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, mjeku i Shërbimit Infektiv prof. Tritan Kalo është shprehur se vetëm përforcimi i masave në vendin tonë dhe ndërgjegjja individuale për të respektuar largimin social, mund të shmangë skenarët e ngjashëm me Italinë për infektimin nga COVID-19.

“Jam shumë dakort për masat e marra për distancimin social, është mirë që janë përforcuar, në mendimin tim mund edhe të përforcohen më tepër. Sepse është e vetmja mundësi që u tregua efikase në eksperiencën kineze në ngadalësimin e sëmundjes dhe mbi të gjitha për ta shuar atë gradualisht. Nëse do të tregoheshim liberalë, siç u treguan fqinjët tanë në Itali, më tej britanikët e spanjollët, kjo do të bëntë të shfaqeshin në vendin tonë skenarë të ngjashëm me to”, tha Kalo.

Sa i përket kapaciteteve ne Shërbimin Infektiv, Kalo tha se po shtohen kapacitetet, ku aktualisht janë 16 vende që kanë respiratorë. “Aktualisht është 12+4, plus është dhe një kat i veçantë i cili është parashikuar që 24 poste të jenë tashmë të pajisura për të vendosur ventilatorë në një moment nëse do të kemi shtrirje të formave të rënda të infeksionit tek këta të sëmurë dhe shkon pothuajse tek 36-40 poste të asistencës respiratore brenda strukturës së infektivit. Urojmë që të mbetemi në këto kapacitete për të mirën e njerëzve, pavarësisht se janë parashikuar dhe COVID 2 dhe skenare të tjerë”, përfundoi mjeku infeksionist fjalën e tij.