Ajax, Justin Kluivert refuzon rinovimin dhe sulmon klubin

Sport

kluivert 1212
Një nga talentet më të përfolur në Holandë, Justin Kluivert konfirmon zërat se gjatë verës do të largohet nga Ajax. Djali i legjendës Patrick Kluivert me paraqitjet e tij këtë sezon ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha në Evropë, të cilët janë të gatshëm të shpenzojnë shuma të konsiderueshme parash për të marrë shërbimet e 19-vjeçarit.  Të gjendur në një situatë të tillë, drejtuesit e Ajax i kanë ofruar një kontratë rinovimi të riut, që më shumë se sa për ta mbajtur në skuadër, vlen për klauzolën dhe përfitimet ekonomike të klubit holandez.  Diçka e tillë nuk i ka pëlqyer shumë Justin Kluivert, që ka refuzuar ofertën e skuadrës nga Amsterdami.

kluivert justin

Kjo është padyshim dhe shenja finale se futbollisti ka vendosur të largohet nga skuadra. Sipas drejtorit të Ajax, Edwin van der Sar, është agjenti i lojtarit që po ndikon kaq shumë në vendimin e tij, diçka kjo e besueshme kur kupton se agjenti në fjalë është një emër i njohur i fushës si Mino Raiola.  Nga ana tjetër, 19-vjeçari Kluivert është shprehur se nuk i ka pëlqyer sjellja e klubit të Ajax-it ndaj tij. Ai mendon se oferta e rinovimit është bërë vetëm për të rritur klauzolën dhe se drejtuesve nuk u intereson nëse ai qëndron apo jo, por kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga shitja e tij.