Allegri nuk fshihet dot më, Juventusi është pretendent për titullin kampion në Serie A

Sport

Ndonëse Massimiliano Allegri është përpjekur të largojë presionin nga skuadra e tij, duke u shprehur në konferencat mediatike se Juventusi që ai drejton nuk mund të cilësohet një ekip pretendent për titullin kampion, por thjesht një grup lojtarësh, që synojnë kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm futbollistik, diçka e tillë duket se qëndron larg nga realiteti. Rezultatet e deritanishme të Juventusit thonë të kundërtën. Fitorja në limite në fundjavë, ndaj Veronës në shtëpi, i mundësoi Zonjës së Vjetër ngjitjen në vendin e dytë të tabelës së renditjes në kuotën e 23 pikëve, vetëm 2 më pak sesa Interi kryesues.

Humbja me rezultatin 4-2 ndaj Sassuolos në 23 Shtator, e shkundi Juventusin, duke e bërë ekipin më të bashkuar. Që prej atëherë, në 5 ndeshjet e radhës, skuadra torineze ka barazuar vetëm një dhe ka fituar 4 të tjera, por vlen të theksohet se gjatë kësaj kohe nuk ka pësuar asnjë gol. Statistikat nuk gënjejnë. Në futboll, një mbrojtje e fortë, të garanton edhe rrugën drejt suksesit. Juventusi i këtij sezoni ka pësuar vetëm 6 gola në total dhe nuk duhet harruar se 4 i ka pësuar vetëm brenda një sfide në Reggio Emilia.

Pikërisht mbrojtja që përgjatë edicioneve të fundit nuk ka qenë një pikë e fortë për Juventusin, këtë herë, Allegri duket se ka gjetur formulën e duhur dhe e ka rikthyer në shina. Tekniku livornez duhet të punojë më tepër në fazën sulmuese, sepse të dhënat e deritanishme nuk janë të kënaqshme. 16 gola të shënuar, e bëjnë Juventusin të ketë sulmin e 6-të më të mirë të kampionatit. Megjithatë ,duhet theksuar se problemet fizike të Vlahoviç dhe Federico Chiesa, padyshim që kanë sjellë mungesë vazhdimësie në gjetjen e golit.

Me fjalë të tjera, emëruesi i përbashkët, apo fjala që përmbledh sezonin e Juventusit deri në këtë fazë, është, vazhdimësia. Pavarësisht problemeve, mungesave, pezullimeve, apo edhe dëmtimeve, Juventusi arrin të fitojë, një tregues ky se në brendësi të organikës ekziston një shpirt luftarak, diçka që dallohet edhe tek lojtarët e rinj të akademisë që janë aktivizuar së fundmi. Fitorja ndaj Veronës në fundjavë, është një tregues se Juventusi i Allegrit nuk heq dorë, por beson dhe lufton deri në vërshëllimën e fundit. Thënë këtë, Allegri nuk mund të fshihet dot më, skuadra e tij është pretendente për titullin kampion këtë sezon futbollistik.