NBA/ Konferenca e Lindjes

Sport

Sezoni i ri në NBA ka ngritur siparin, me skuadrat që kanë nisur revanshin drejt plotësimit të objektivave përkatëse. Në Konferencën e Lindjes, ka rënë menjëherë në sy disfata e Milwaukee Bucks, që erdhi në këtë sfidë, pasi më herët kishte fituar ndaj Philadelphia 76-ers.

Në xhiron e dytë, ekipi nga Wisconsin u mposht në shtëpi, 127-110 nga Atlanta Hawks, që diferencën e bëri në periodën e dytë, duke u shkëputur 21 pikë në avantazh. Për gjysmën e mbetur të sfidës, Giannis me shokë, pavarësisht përpjekejeve, nuk mundën të bënin dot një përmbysje. Antetokounmpo rezultoi më i miri i parketit. Në aspektin personal, 28 vjeçari arriti një double-double, 26 pikë dhe 11 asiste.

Në hapat e parë të edicionit të ri, një nisje tejet negative i ka bërë sezonit edhe skuadra e Brooklyn Nets, që në dy ndeshje, ka pësuar po kaq humbje, me të fundit të regjistruar ndaj Dallas Mavericks, 125-120.

Keq e ka nisur edhe Chicago, që në dy takime, është kryqëzuar nga dy humbje, me të fundit të regjistruar ndaj Detroit Pistons në transfertë, 118-102. Të njëjtat statistika po përjeton edhe Miami Heat, që së fundmi është mposhtur 106-90 në shtëpinë e Minnesota Timberwolves.

Sakaq, vlen të theksohet nisja me këmbën e mbarë e Indiana Pacers që kryeson Konferencën e Lindjes, bashkë me Orlando Magic dhe Boston Celtics. Që të treja këto skuadra kanë nga 2 fitore po në kaq përballje.