Jude Bellingham, në gjurmët e legjendave të klubit të Real Madrid

Sport

Jude Bellingham nuk di të ndalet. Me vetëm 13 ndeshje të luajtura me fanellën e Real Madrid, djaloshi 20 vjeçari ka thyer disa rekorde, duke u ngjitur në podiumin e emrave të mëdhenj të klubit merenguez, sikurse janë Alfredo Di Stefano dhe Cristiano Ronaldo.

E janë pikërisht këta të 3 lojtarët e vetëm të Realit në histori që në 13 ndeshjet e para me fanellën e bardhë kanë arritur të shënojnë po kaq gola.

Por nuk mbaron me kaq. Mbi shpinë, Bellingham mban fanellën me numrin 5, atë që vite më parë e ka veshur Zinedine Zidane, me francezin që konsiderohet një prej mesfushorëve më të mirë që ka parë ndonjëherë historia e topkëmbës.

Kur zbarkoi në Madrid, Bellingham zgjodhi pikërisht atë fanellë, për shkak të admirimit që kishte për Zidane. Presioni ishte i madh, por jo për Bellingham. Kur nuk është luajtur ende as 1/3-ta e këtij edicioni futbollistik, djaloshi nga Stourbridge ka parakaluar pikërisht legjendën Zidane me numrin e golave të  shënuar brenda një sezoni në kampionatin spanjoll.

Përgjatë epokës së tij me Los Blancos, Zidane, nuk kishte shënuar dot më tepër sesa 9 gola brenda një edicioni në La Liga. Ndërsa kur janë luajtur vetëm 11 javë, Bellingham ka shënuar 10 gola, duke kryesor kësisoj listën e golashënuesve më të mirë të elitës së futbollit spanjoll.

Me fjalë të tjera, ka “Santiago Bernabeu” ka nisur të shkruhet një epokë e re, me Bellingham që po ecën pas gjurmëve të disa prej figurave më të rëndësishme të të gjithë historisë së klubit të Real Madrid.

Falë performancave dhe golave të tij nga ndeshja në ndeshje, Real Madrid kryeson Grupin C në Champions League me 3 fitore në po kaq ndeshje. Kontributi është i padiskutueshëm edhe në kampionat, atje kun ë javën e 11-të, britaniku shënoi 2 herë përballë Barcelonës, duke përmbysur rezultatin në favor të skuadrës së Carlo Ançelottit. Si pasojë, Reali udhëheq tabelën me 28 pikë, po aq sa Girona, që për shkak të golavarazhit, ndodhet në vend të dytë.