Napoli dhe Milani ndajnë pikët në javën e 10-të

Sport

Napoli dhe Milani ndajnë pikët në javën e 10-të të Serie A. Sfida e luajtur në stadiumin “Diego Armando Maradona” u mbyll me rezultatin 2-2. Duhet theksuar se ekipi kuqezi u duke më pranë fitores, duke qenë se fraksionin e parë e mbylli në epërsinë e dy golave, që të dy të shënuar nga Olivier Giroud.

Që prej kohës kur u bë pjesë e Milanit, stadiumi i Napolit është fusha ku Giroud ka shënuar më shumë gola jashtë shtëpie, plot 4 herë.

Megjithatë, me rikthimin e ekipeve në fushë pas pushimit, ndeshja mori një tjetër rrjedhë. Kampionët në fuqi të Italisë, si fillim ngushtuan diferencën me Politanon, ndërsa më pas barazuan me Raspadorin në minutën e 63, me rezultatin që më pas, mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit.

Në kushte si këto, Napoli është ngjitur përkohësisht në vendin e 4 të tabelës në kuotën e 18 pikëve, 4 më pak sesa Milani i vendit të 3-të, që tashmë ka përpara vetes, Juventusin dhe Interin.

Duke marrë parasysh mënyrën sesi shkoi takimi, në radhët e Napolit, u dukën disi më optimistë në përfundim të ndeshjes. Trajneri Rudi Garcia u shpreh mëse i kënaqur me reagimin e skuadrës së tij, por shtoi se në të tilla përballje, Napoli ka nevojë për më shumë fat që të kompletojë paraqitjen perfekte.

Nga ana tjetër, milanistët nuk e fshëhën zhgënjimin, ndonëse trajneri Stefano Pioli u përpoq të mos e bënte situatën dramatike. Italiani theksoi se në pjesën e parë, skuadra e tij krijoi 10-12 mundësi shënimi dhe rezultati duhet të ishte edhe më i thellë se 2-0. Të dhëna këto, që sipas Piolit, nuk ka arritur t’i bëjë dot asnjë skuadër tjetër në fushën e Napolit përgjatë viteve të fundit.

Më tej, i zhgënjyer u duk edhe Olivier Giroud. Sulmuesi shënoi dy gola dhe skuadra e tij sërish nuk ia doli të fitonte dot. Në përfundim francezi tha se në momentin kur Napoli realizoi golin e parë, atëherë Milani e humbi busullën dhe u shpërqendrua komplet nga loja, duke mos e ditur se ç’të bënte, të mbronte, apo të sulmonte.