Angli, Livepooli njofton angazhimin e Van Dijk për 84 milionë euro

Sport

Virgil Van Dijk

Liverpool njoftoi të mërkurën mbrëma angazhimin e mbrojtësit holandez Virgil Van Dijk nga Southampton. Pas një ndjekje të gjatë, që gjatë verës dhe plot spekulimesh, të kuqtë përfunduan duke e paguar shtrenjtë kartonin e shtatlartit, plot 84 milionë euro, një rekord për sa i përket çmimit të paguar deri më sot për një mbrojtës. Pikërisht reparti difensiv ka qenë mangësia më e madhe e skuadrës së Klopp, që edhe pse ka gëzuar një sulm të frikshëm, të aftë të riprodhojë takime me nga 7-0 si ato në Champions League, por nga ana tjetër, e dobët në prapavijë, duke vuajtur humbje nga 4-1 apo 5-0 me skuadrat pretendente në Premier. Holandezi 26-vjecar, i kishte kushtuar Southamptonit vetëm 15 milionë dy sezone më parë. I rritur te Groningen në Holandë, hapin cilësor e kreu te Celtic-u ku zhvilloi 2 sezone të kënaqshme, përpara se të debutonte më pas në Premier me fanellën e Southamptonit. Shtatlarti do të mbajë fanellën me numrin 4 dhe do të paguhet 180 mijë paundë në javë. Shtypi anglez e ka cilësuar transferimin e tij, të njëjtë me atë të Romelu Lukakut nga United, po 84 milionë euro, që është edhe rekordi i një transferimi në Premier-League. Ndërkohë interesante është se Van Dijk bëhet lojtari i gjashtë që afrohet te Liverpooli si ish-lojtar i Southamptonit. Vitet e fundit kanë bërë të njëjtën gjë Rickie Lambert, Adam Lallana, Dejan Lovren, Nathan Clyne dhe Sadio Mane.