Arsene Wenger kërkon rikthimin, shënjestron botërorin e Katarit

Sport

Që prej largimit të tij nga Arsenali, Arsene Wenger ka preferuar të qëndrojë pushim dhe nuk është shfaqur shpesh në botën e futbollit. Mirëpo duket se trajneri francez ka vendosur se kur do të bëjë rikthimin e tij dhe këtë e ka deklaruar vetë ai gjatë një interviste. Wenger dëshiron të provojë diçka të re dhe synon të marrë drejtimin e një kombëtareje, duke shtuar se ka një dëshirë të madhe të jetë pjesë e një botërori. Tekniku pranoi se gjatë kësaj kohe ka patur mjaft oferta të mira nga disa skuadra me emër në Europë, por ai ka preferuar të qëndrojë prapa skenave dhe të vazhdojë pushimet e tij të zgjatura.

Nën shënjestrën e Wenger duket se është botërori i Katarit, që do të zhvillohet në vitin 2022. Sipas trajnerit francez, botërori është kulmi për një trajner, pasi aty luajnë futbollistët më të mirë në botë. Ai nuk zbuloi detaje nëse ka bisedime konkrete me përfaqësues të ndonjë federate, por duket se edhe në këtë aspekt gjërat për 69-vjeçarin kanë shkuar mirë. Gjithësesi Wenger nuk garantoi asgjë, pasi në të ardhmen mund të ketë të papritura dhe çdo gjë mund të ndryshojë. Arsene Wenger u largua nga Arsenali në majin e vitit 2018, pasi kishte drejtuar klubin e Londrës Veriore për plot 22 vite. Francezi e pranoi se i mungon ajo që kaloi tek ‘topçinjtë’, por tashmë duhet të vazhdojë përpara, teksa kërkon të realizojë të tjera objektiva.