Bayern Munich – Arsenal, Sonte në orën 21:00 në TS2

Sport

Thomas Tuchel (trajner i Bayern):

“Kemi një ndeshje për të hedhur një hap tjetër në këtë kompeticion të mrekullueshëm dhe duam të japim gjithçka për të fituar këtë shansNjësoj si në ndeshjen e parë, sot do të kemi nevojë për pasion dhe disiplinë taktike, përderisa duam ta fitojmë këtë ndeshje. Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që çdo tifoz të vijë për të mbështetur ekipin, pasi do të ishte diçka e vogël plus që do të na ndihmonte për të mposhtur Arsenalin. Sigurisht që zotërojmë një avantazh të vogël për sa i përket përvojës në këtë kompeticion, por do të duhet një paraqitje e lartë për të siguruar që bëhet një avantazh vendimtar. Në ndeshjen e parë luajtëm me shumë kujdes dhe i zgjidhëm mirë situatat, por ishte vetëm pjesa e parë. Në shtëpi duhet të ribëjmë gjithçka si më parë. Kushdo që thotë se duhet të ecim përpara e ka gabim, sepse ata injorojnë faktin që ne po luajmë kundër Arsenalit dhe kemi 50% shanse për të kaluar. Ne duam të shkojmë përsëri në gjysmëfinale dhe pastaj deri në fund, sepse fitimi i Champions do ta ëmbëlsonte sezonin. Deri më tani kemi performuar nën pritshmëritë, por nuk ju nevojitet kjo për t’u motivuar.

Arsenali meriton të gjithë konsideratën tonë. Topcinjtë përpiqen të krijojnë epërsi në të djathtë me Saka dhe Odegard, por janë shumë të rrjedhshëm dhe të aftë të ndryshojnë mënyrën e sulmit, siç e pamë në ndeshjen e fundit në kampionat.  Premier Liga është liga më e vështirë në botë dhe Arsenali është një nga skuadrat më të forta në ligë. Por ne duhet të tregojmë vlerën tonë. Megjithatë, nuk do të jetë Bundesliga kundër Premier Ligës, por Bajern kundër Arsenalit…

De Ligt? Ai nuk ka qenë kurrë zgjedhja e katërt, ne kemi besim tek ai si te Kim dhe Upamekano dhe ne kemi nevojë që ai të jetë në formë të mirë nesër”.

 

Harry Kane (lojtar i Bayern):

“Ka qenë një sezon zhgënjyes në Bundesligë për ne deri më tani, përgëzoj Bayer Leverkusen për atë që ka arritur.Nuk e kemi arritur nivelin tonë, por të mërkurën kemi një mundësi të madhe në shtëpi, duam të arrijmë diçka të madhe. Kemi shumë përvojë, shumë prej nesh kanë luajtur ndeshje të rëndësishme. Është koha për t’i ngritur standardet tona, kemi besim te vetja dhe mundemi të fitojmë e kualifikohemi në gjysmëfinale. Në Londër u mbrojtëm shumë mirë, ia vështirësuam kundërshtarit krijimin e rasteve. Tani do të luajmë para tifozëve tanë dhe energjia e tyre do të na shtyjë të bëjmë më të mirën në fushë. Ne duam të bëjmë një hap tjetër drejt finales së ‘Wembley’.

Liga e Kampionëve, shansi im i fundit për ta mbyllur sezonin me të paktën një titull? Çdo lojtar, çdo klub dëshiron të fitojë tituj, ky është qëllimi i çdo sezoni. Natyrisht, kjo pritet edhe nga ne. Kemi ende shanse për ta fituar Ligën e Kampionëve, motivimi është i shkëlqyer.  Për mua, të luash në Gjermani është një përvojë e madhe. Ka klube të forta si Leverkusen që kanë bërë mirë edhe në Evropë. Më pëlqen shumë të luaj këtu. Objektivi ynë tani është të ruajmë vendin e dytë në kampionat”.

Mikel Arteta, trajneri I Arsenalit:
“Sonte duhet të zhvillojmë një performancë të denjë për të shkuar në gjysmëfinalen e Champions League. Kemi punuar fort për të shkuar drejt këtij objektivi. Duam të kalojmë më tej.

Kemi 10 muaj që përgatitemi për një moment si ky. Jemi rikthyer në Champions League pas shumë vitesh, kështu që sonte kemi rastin për të bërë ëndrrën realitet. Shumë prej lojtarëve tanë nuk kanë provuar eksperienca të tilla. Për ta do të jetë hera e parë që mbërrijnë në të tilla nivele të Champions League. Për këtë arsye, ata janë të motivuar në maksimum. Janë përgatitur dhe kanë plot besim. Këtë gjë duhet ta tregojmë sonte në fushë, përballë një kundërshtari që ka shumë eksperiencë në Champions League, sikurse është Bayern Munich.

Megjithatë, duhet të përqendrohemi vetëm në lojën tonë dhe të përpiqemi t’I bëjmë gjërat realitet. Nga skuadra ime kërkoj që thjesht të jetë vetvetja, pavarësisht stadiumit ku do të luajmë. Ndonjëherë, dëshira është e madhe për të arritur gjëra të mrekulllueshme, por kundërshtari nuk të lejon. Mirëpo ne, e kemi të qartë mënyrën sesi do të luajmë. Kjo është arsyeja kryesore që do të na japë mundësinë më të mirë për të fituar.

Vitin e kaluar nuk humbëm asgjë, sepse në fakt, nuk fituam asgjë. Si fillim, duhet të fitosh, pastaj mund të humbasësh. E rëndëishme për t’u theksuar, është fakti se ne vijmë nga një rrugëtim I jashtëzakonshëm, pasi kemi konkuruar me skuadrën më të fortë në vend dhe në Europë në 7 vitet e fundit. Ne duam të ngjitemi pikërisht në atë nivel, kështu që për momentin nuk jemi aspak të entuziazmuar. Duam të bëhemi më të mirë dhe ky është niveli ku duam të shkojmë. Prandaj do të japim gjithçka nga vetja deri në momentin e fundit, derisa të fitojmë tituj dhe të jemi të suksesshëm.”

 

Leandro Trossard, lojtari I Arsenalit:
“Jo vetëm që mendoj, por jam I bindur që çdokush është gati për të dhënë maksimumin. Pas humbjes në kampionat në fundjavë, duam të reagojmë në Champions League. Kjo është një mundësi shumë e mirë për ne që të performojmë denjësisht në një kompeticion kaq të madh. Duam të tregojmë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë.

Nga ana tjetër, nuk ka dyshim se vështirësia do të jetë e shkallës maksimale. Mirëpo në fakt, çdo ndeshje ka vështirësinë e saj. Kemi marrë mjaft eksperiencë nga situata në fazën e grupeve, ndërsa në ndeshjen e kaluar ndaj Bayernit, treguam karakter. Jemi të vendosur që këtu të bëjmë të njëjtën ndeshje, sikurse në shtëpinë tonë. Për këtë, kemi nevojë të jemi në formën më optimale të mundshme.

Në mbrëmje si këto, nuk është aspak e vështirë të gjesh motivimin e duhur. Mbrëmje të tilla përjetohen rrallë, kështu që kaq mjafton për të kuptuar se sonte jemi të në nivelin më të lartë të dëshirës për të fituar. Bayernin e respektojmë shumë. Ata kanë eksperiencën me vete, por nga ana tjetër, ne kemi ardhur këtu për të treguar se duam të shkojmë në gjysmëfinale dhe se ky është një moment që e kemi pritur gjatë. E kemi të qartë planin për të mposhtur kundërshtarin, kështu që po presim me padurim të zbresim në fushën e lojës.”