BROJA DREJT RIKTHIMIT, NISIN INTERESIMET PER SULMUESIN

Sport

Gjithmonë e më i afërt duket rikthimi i Armando Brojës në fushë pas dëmtimit serioz në gju. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka nisur riaftësimin prej kohësh dhe do të jetë pjesë e Chelsea në miqësoret përgatitore për sezonin e ri. Duket se lojtari i Kombëtares duhet të kalojë një tjetër provë, këtë herë me trajnerin e ri të Chelseat, që pritet të jetë Pochetinon. Argjentinasi duhet të bindet nga sulmuesi shqiptar për të qenë pjesë e skuadrës londineze në sezonin e ardhshëm. Por edhe nëse Pochetino nuk e ka në planet e tij, sipas mediave britanike vazhdon që të ketë shumë interes rreth lojtarit, nga skuadra që duan ta marrin në huazim. Emri i parë i përmendur është ai i Brighton, ekip që kërkon huazimin e Armando Brojës për sezonin tjetër. Kjo skuadër ndodhet në vendin e gjashtë në kampionat dhe po lufton me Liverpulin për të marrë vendin e pestë.Megjithatë të dyja këto vende të ofrojnë pjesëmarrjen në grupet e Europa League dhe qëllimi kryesor i Brighton është të paktën të ruajë biletën e Kupave të Evropës.

Përpara dëmtimit në dhjetorin e kaluar gjatë miqësores me Aston Vilan, Broja u aktivizua 3 herë titullar me Chelsean dhe 15 ndeshje i bëri si zëvendësues në të gjithë kompeticionet. Ndërsa ia doli të shënojë edhe një herë, pikërisht në ndeshjen e Premier Ligë kundër Uolves në muajin tetor. Ai do të jetë pronë e Chelsea edhe për të paktën 5 vite të tjerë pas rinovimit që i bëri kontratës në fillim të sezonit të kaluar.