Kualifikimi në finale të Champions League, ja shuma që ka arkëtuar Interi nga UEFA

Sport

Rikthimi i Interit në finalen e UEFA Champions League, për herë të parë që nga viti 2010-të, padyshim që është një arritje historike për klubin zikaltër. Një arritje që tashmë është shënuar në librat e historisë, për më tepër duke marrë në konsideratë edhe ulje-ngritjet e sezonit dhe herë pas here vënien në dyshim të të ardhmes së trajnerit Simone Inzaghi, i cili i ka shkuar disa herë mjaft pranë shkarkimit nga detyra.

Mirëpo, duhet thënë, se italiani ia ndërroi fytyrën skuadrës, atëherë kur askush nuk e priste. Përveç një ecurie pozitive në kampionat, Inzaghi arriti të bënte atë që pak kush mund ta mendonte. Ai e kualifikoi ekipin në finalen e Champions League, që përtej prestigjit, përtej krenarisë, ka garantuar gjithashtu edhe një bilanc të shëndoshë ekonomik. Përgjatë këtij rrugëtimi sezonal në Champions League, deri më tani, Interi ka arkëtuar plot 98 mln euro nga UEFA.

Në Shtatorin e vitit të kaluar, Inzaghi u shpreh se kudo që ai trajnon, garanton trofe dhe rritje të ardhurash. Kjo deklaratë e trajnerit zikaltër, u komentua jo pak në atë kohë, por shumë shpejt, fjalët e tij po rezultojnë të vërteta. Përveç finales së Champions League, Interi është gjithashtu edhe finalist i Kupës së Italisë.

Nëse Interi fiton finalen e Stambollit ndaj Manchester Cityt, atëherë do të marrë 4.5 mln euro të tjera, dhe rreth 1 mln euro nëse ndeshja shkon me penallti.

Kjo shumë kaq e madhe, i garanton klubit zikaltër të menaxhojë me qetësi edhe merkaton e verës dhe të synojë përforcime cilësore, në mënyrë që edicionin tjetër të jetë konkurues në të gjitha frontet.