U dëmtua në derbi ndaj Milanit, lojtari i Interit rrezikon të mungojë në finalen e Stambollit

Sport

Mes lajmeve të shumta pozitive që kanë pushtuar Interin përgjatë ditëve të fundit, në kampin zikaltër ka edhe arsye për t’u shqetësuar. Me anë të një postimi në kanalin zyrtar, klubi ka bërë të ditur Henrikh Mkhitaryan ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e majtë, teksa gjendja e lojtarit do të mbetet në monitorim.

Në lidhje me këtë situatë, mediat përtej detit shkruajnë se dëmtimi I armenit është serioz, deri në atë pikë, saqë ai rrezikon të marrë pjesë edhe në finalen e Champions League në 10 Qershor, ndaj Manchester Cityt në Stamboll.

Zakonisht, dëmtime të tilla rikuperohen për rreth dy javë, por kjo varet shumë nga nisja e procesit të rikuperimit që në ditët e para. Pikërisht për këtë arsye gjendja e mesfushorit do të jetë në ndjekje të vazhdueshme, për të kuptuar më mirë kohën e rikthimit të tij në fushën e lojës. Ndeshja e madhe e Stambollit është rreth 3 javë larg dhe mundësia ekziston vërtetë që 34 vjeçari të mos jetë gati.

Sidoqoftë, edhe në rast mungese të Mkhitaryan, Simone Inzaghi do të rikthente në formacion, kroatin Marcelo Brozoviç, I cili është shumë thelbësor për të ndihmuar skuadrën në manovrën mbrojtëse, ndonëse ekipi do të humbte një element në aspektin sulmues.

Mkhitaryan u dëmtua në gjysmëfinalen e dytë të euroderbit ndaj Milanit, aty ku në minutën e 44 u detyrua të dilte nga fusha e lojës.