Ceballos, një dëmtim vendosi në rrezik huazimin tek Arsenali

Sport

Arsenalit ka rrezik t’i dështojnë planet sa i takon blerjes së Dani Cebajos, i cili deri përpara pak ditësh dukej fare afër firmës me “Topcinjtë”. Vetë trajneri i Arsenalit, Unai Emery, ka thënë se dëmtimi serioz i mesfushorit të Real Madrid, Marco Asensio, mund të jetë një lajm i keq në lidhje me shpresat e ekipit të tij, për të nënshkriar me talentin spanjoll. Mesfushori ishte larguar nga grumbullimi i Realit, duke udhëtuar drejt Londrës në mënyrë që të kryente vizitat mjekësore tek klubi i tij i ri. Madje thuhej se anglezët kishin arritur praktikisht akordin për huazimin 1-vjecar të Cebajos, teksa pritej që zyrtarizimi të vinte brenda kësaj jave.

Por dëmtimi i Asensio në miqësoren e Real Madridit, pikërisht ndaj Arsenalit, ka lënë ekipin spanjoll praktikisht pa mesfushorë. Kështu që madrilenët kanë ndërruar menjëherë planet, duke vendosur që të mbajnë për momentin lojtarin e ardhur përpara dy vitesh nga Betisi. Ndërkohë që edhe trajneri Emery u detyrua të pranojë se lëndimi i Asensio është një lajm i keq jo vetëm për “Los Blancos”, por edhe për Arsenalin. Një sërë klubesh të tjera ishin të interesuara për 22-vjecarin spanjoll, mes të cilëve edhe Milani, por kuqezinjtë nuk kanë mundur dot të arrijnë akordin për huazimin e lojtarit.