Champions, Chelsea me një kalendar të ngjeshur ndeshjesh përpara sfidës me Barcelonën

Sport

Chelsea Barcelona

Përballja e 1/8-ve, Chelsea-Barcelona në Champions League luhet më 20 shkurt, por skuadra e Antonio Contes duket se do t’i presë katalanasit në një gjendje sfilitje, kështu analizojnë në Spanjë. Barazimi pa gola me Arsenalin në Kupën e Ligës tregoi edhe njëherë gjendjen e vështirë që ka Chelsea. Momenti s’është pozitiv, sidomos pas barazimit po pa gola me Norwichin në Kupën e Federatës. Në fakt, angazhimi edhe në një tjetër ndeshje me këta të fundit i detyron blutë të luajnë më shumë ndeshje radhazi. Kështu më shumë vështirësi dhe telashe parashikohen për objektivat që ka Conte te Chelsea. Blutë që pas ndeshjes së fundit në grupet e Champions League-ës me Atleticon më 5 dhjetor, e deri më 20 shkurt, rezulton të luajnë tashmë 17 ndeshje, e 18-ta do jetë kundër katalanasve. Me një organikë prej 26 lojtarësh trajneri italian, është detyruar shpesh jo vetëm të bëjë rotacione, por të bëjë ballë edhe me lëndimet. Ankesat e vazhdueshme për raskapitjen fizike të titullarëve duket se nuk janë më justifikime, pasi në ndeshje si me Arsenalin nevojiten me patjetër lojtarët kryesor. Në anën tjetër Valverde te Barcelona ka krejt tjetër gjendje. Përballja kryesisht me skuadrën e dytë në sfidat e Copa del Rey i ka dhënë më shumë frymë lojtarëve kryesor, ndërkohë që edhe nëse bën përpara deri në gjysmë-finale, katalanasit nuk parashikohet të luajnë më shumë se 16 ndeshje deri më 20 shkurt. Këto janë aspekte tejet domethënëse për një përballje si ajo e 1/8-ve në Champions League, ku sipas shtypit në Spanjë mund të mos ndikojnë më lojtarët në fushë, por edhe kalendari i ngjeshur me takime.