Dëmtimi i Messit kërkon ende kohë, argjentinasi pret darkën me Ronaldon

Sport

Ndonëse u mendua se do të ishte një dëmtim i lehtë për t’u kaluar, Messi vijon të qëndrojë pushim dhe Barcelona me shumë gjasa do të duhet të presë ende për të parë rikthimin në fushë të argjentinasit. Por siç raportohet edhe nga mediat spanjolle, e vërteta qëndron se lëndimi që Messi ka pësuar në këmbën e djathtë, është më serioz se ç’mendohej. Numri 10 i Barcelonës e mori dëmtimin gjatë një seance stërvitore në datën 5 gusht dhe ende nuk ka bërë debutimin e tij për këtë sezon. Me shumë mundësi, ylli kryesor i katalanasve do të humbasë jo vetëm sfidën e fundjavës me Valencian, por edhe atë të ‘Champions League’ës kundër Borussia Dortmund, çfarë sigurisht shqetëson jo pak trajnerin Ernesto Valverde.


Vetë lojtari është shprehur në një intervistë se punon vazhdimisht për të bërë sa më shpejt rikthimin e tij në fushë, pasi ka dëshirën të ndihmoj skuadrën në këto takime delikate të fillim sezonit. Ndërsa pyetjes rreth një largimi të tij nga klubi në të ardhmen, pas zbulimit se në kontratën e tij ka një klazuolë që e lejon të largohet lirisht, Messi iu përgjigj duke thënë që për sa kohë Barcelona mbetet një skuadër kompetitive, ai do të qëndrojë përgjithmonë aty. Në fund, argjentinasi komentoi edhe njëherë batutat e Cristiano Ronaldos gjatë mbrëmjes së organizuar nga UEFA më 29 gusht. Messi tha se ende nuk e ka marrë ftesën për një darkë me portugezin, por tha se do ta pranojë me kënaqsi diçka të tillë.