Di Francesco, është e natyrshme që në të tilla nivele Roma të mendojë për Champions League-ën

Sport

di12
“Ambienti mendon për Champions League-ën dhe kjo gjë është normale për pozitat që kemi” me këto fjalë komentoi fitoren 2-1 kundër Genoas në mesjavë trajneri i Romës Di Francesco. Në një sfidë disi delikate për sa i përket ecurisë në kampionat, ku duhet medoemos rezultati për të siguruar vendin në Champions League, trajneri i verdhekuqve vlerësoi vendosmërinë e lojtarëve për të arritur fitoren megjithëse në fund të takimit pati një luhatje të rendimentit. Sipas Di Francescos Roma nuk është e mësuar të luajë një gjysmë-finale të Champions League-ës dhe prandaj qoftë tifozët qoftë dhe lojtarët janë disi të shfokusuar me mendjen te përballja e radhës në Evropë.

di

Roma nuk kualifikohej në një gjysmë-finale që prej vitit 1984. Pas 34 vitesh mungesë, tifozeria verdhekuqe e ka mirëpritur me mjaft entuziazëm përballjen me Liverpoolin, kjo pasi pikërisht ndaj të kuqve ishte edhe finalja e tyre e vetme e atij viti të largët. Sipas Di Francescos sfida e javës së ardhshme do jetë një tjetër test i rëndësishëm që skuadra duhet ta përballë me të njëjtën qasje sikurse bëri kundër Barcelonës. Në letër sipas tij tashmë nuk ka më favoritë, pasi të katërta skuadrat e merituan prezencën në të tilla nivele. Roma e këtij edicioni në Champions League nuk ka pësuar asnjë gol në fushën e saj, ndërsa të martën synon që në Anfield të mundohet të marrë një rezultat pozitiv për të shrpesuar në ndeshjen e kthimit.