Juventusi ka një plan për sulmuesin Alvaro Morata

Sport

Në fund të këtij sezoni, spanjollit i përfundon huazimi 2-vjeçar në radhët e Zonjës së Vjetër. Gjatë kësaj periudhe kohore, bardhezinjtë kanë paguar 10 mln euro në arkat e Atletico Madrid, që zotëron kartonin e futbollistit.

Megjithatë, torinezët janë të interesuar që Morata të mos largohet nga radhët e tyre, por ta vazhdojë karrierën në Allianz Stadium. Mirëpo, që diçka e tillë të kthehet në realitet, atëherë Juventusi, duhet të paguajë 35 mln euro të tjera në arkat e Atletico Madrid, në mënyrë që të blejë përfundimisht kartonin e sulmuesit.

Kjo shumë është konsideruar e lartë nga drejtuesit e klubit italian, aq më tepër që Morata ka vetëm edhe 1 vit kontratë të mbetur me Rojiblancos. Në këto rrethana, Zonja e Vjetër, momentalisht, nuk mund të ofrojë më tepër sesa 15 mln euro në drejtim të Atleticos. Nëse kampionët e Spanjës nuk e pranojnë një ofertë të tillë, atëherë, Juventusi e ka sërish gati zgjidhjen tjetër.

Gjigantët e Serisë A, mund të presin deri në fundin e sezonit të ardhshëm, atëherë kur Moratas t’i skadojë kontrata me Atleticon dhe në këtë mënyrë, do të kenë mundësinë ta transferojnë lojtarin me parametra zero në Allianz Stadium. Mbetet për t’u parë se ç’do të rezervojë e ardhmja për sulmuesin Alvaro Morata.