Dusan Vlahoviç i jep prioritet transferimit në radhët e Real Madrid

Sport

Ndonëse ka pak më tepër se një vit që është bërë pjesë e Juventusit, e ardhmja e Dusan Vlahoviç vazhdon të shihet larg Zonjës së Vjetër. Problemet e fundit që kanë mbështjellë klubin torinez në lidhje me aspektin financiar, njëkohësisht e kanë bërë të pasigurt të ardhmen e sulmuesit në fjalë në “Allianz Stadium”.

Klube të ndryshme kanë shprehur interes për 23 vjeçarin, duke nisur nga Arsenali në Angli, apo Bayern Munich në Gjermani. Mirëpo nga ana e tij, Vlahoviç e ka planin të qartë. Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, dëshira e ballkanasit është të transferohet në radhët e Real Madrid. Madje, ish-lojtari i Fiorentinës në një takim me presidentin e Los Blancos, Florentino Perez, i ka kominukuar këtij të fundit, se në momentin që do të largohet nga Juventusi, prioriteti i tij do jetë vetëm Real Madrid.

Në fakt, Los Blancos, prej vitesh tashmë udhëhiqen vetëm nga Karim Benzema në qendër të sulmit dhe ende nuk kanë gjetur një zëvendësues potencial të francezit. Ndonëse e provuan me Luka Joviç, bashkëkombasi i Vlahoviç rezultoi i pasuksesshëm në “Santiago Bernabeu”. Në rrethana të tilla, Benzema është 35 vjeç dhe karriera e tij është drejt perëndimit, kështu që nuk përjashtohet mundësia që Vlahoviç mund të kthehet në prioritetin e sulmit të Los Blancos për vitet e ardhshme.

Vlahoviç konsiderohet një prej lojtarëve më të talentuar të brezit të tij. Që prej kohës kur është baskuar me Juventusin, ai është aktivizuar 44 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar 19 gola, e po ashtu ka kontribuar edhe me 6 asist.