E ardhmja e Romelu Lukaut pritet të jetë me Interin

Sport

E ardhmja e Romelu Lukakut mund të jetë me Interin, të paktën edhe për një tjetër sezon. Formës pozitive të skuadrës zikaltër në ndeshjet e fundit, I është bashkëngjitur më së miri edhe belgu, I cili është kthyer në një pikë referuese në sulm, sidomos në Serie A.

Në ndeshjen e fundit në kampionat, atë ndaj Sassuolos, e vlefshme për javën e 35-të të Serie A, dhe që Interi e fitoi 4-2, Lukaku shkëlqeu, duke shënuar dy prej golave të skuadrës së tij. Në 4 ndeshjet e fundit që është aktivizuar në kampionat, Lukaku ka shënuar një total prej 5 golash.

Me këtë ecuri, 30 vjeçari po tregon se I ka lënë pas problemet fizike, ato që e kushtëzuan atë që mbetej jashtë formës për një kohë të gjatë dhe që për një moment, e bëri thuajse të padiskutueshëm largimin e tij nga 19 herë kampionët e Italisë. Në rrethana të tilla, mediat italiane raportojnë se drejtuesit e Interit kanë nisur të ndihen optimist për Lukakun dhe tanimë po shqyrtojnë mundësinë për ta mbajtur të huazuar edhe një tjetër sezon.

Që një gjë e tillë të ndodhë, fillimisht duhet gjetur marrëveshja me Chelsean, por që për Blutë e Londrës nuk pritet të jetë një problem, pasi belgu nuk është pjesë e planeve të tyre për edicionin e ardhshëm.

Nga ana e tij, dëshira e lojtarit është që të mbetet pjesë e zikaltërve, por mbetet për t’u parë këtu se cila do të jetë lëvizja përfundimtare e drejtuesve të Interit.