Eden Hazard tërhiqet nga Belgjika

Sport

Eden Hazard tërhiqet nga Kombëtarja e Belgjikës. Vetëm rreth një javë pas eliminimit të djajve të kuq nga Kupa e Botës, aty ku nuk arritën të kalonin dot as fazën e grupeve, anësori I sulmit ka dalë menjëherë me këtë vendim, që në fakt kishte ditë që aludohej.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Hazard ka njoftuar tërheqjen nga përfaqësuesja e tij, duke thënë se kishte ardhur momenti I duhur që ky kapitull të mbyllej.

“Një kapitull mbyllet sot. Faleminderit për mbështetjen tuaj dhe për lumturinë që më keni dhënë që nga viti 2008-të. Kam vendosur që të tërhiqem nga karriera ime me Kombëtaren. Do më mungoni”, janë fjalët e Hazard.

Anësori I sulmit u aktivizua 126 ndeshje me përfaqësuesen belge, duke shënuar një total prej 33 golash, ndërsa në 56 takime mbajti në krah shiritin e kapitenit. Sa I përket Botërorit që po zhvillohet në Katar, Hazard u aktivizua shumë pak me Belgjikën. Përgjatë 3 ndeshjeve në fazën e grupeve, lojtari I Real Madrid luajti vetëm 126 minuta, pa arritur të linte asnjë gjurmë.