Eliminimi nga Champions League, Milani ka vetëm një mënyrë për të shpëtuar sezonin

Sport

Me eliminim nga UEFA Champions League, Milani duhet të mendojë sërish vetëm për Champions League. Kur në Serie A kanë mbetur edhe 3 javë deri në mbyllje, kuqezinjtë tashmë kanë vetëm një objektiv…të sigurojnë klasifikimin si të 4-tit në kampionat, që të garanton një vend në fazën e grupeve për edicionin tjetër të Champions League.

Për momentin, ekipi i drejtuar nga Stefano Pioli renditet në vendin e 5-të të tabelës në kuotën e 61 pikëve, 4 më pak sesa Lazio e vendit të 4. Në lojë janë edhe 9 pikë, por përveçse duhet që Milani t’i marrë të gjitha, gjithashtu duhet të shpresojë që Lazio të gabojë.

Parë në një tjetër këndvështrim, nëse MIlani nuk kualifikohet në Champions League në edicionin e ardhshëm, atëherë situata financiare e ekipit kuqezi do të komplikohej edhe më tepër. Një gjë e tillë, normalisht që do të ngushtonte edhe hapësirat në merkato, duke mos sjellë lojtarë të nivelit të lartë në përbërje të skuadrës.

Dobësinë momentale të ekipit, e ka pranuar edhe Drejtori Teknik i klubit, Paolo Maldini. Pas përfundimit të derbit, ish-mbrojtësi u tregua i sinqertë, teksa tha se mes Milanit dhe Interit ka një diferencë të madhe në mes dhe kjo është vënë re sidomos në 4 përballet e tyre të fundit.

Një deklaratë e tillë e Maldinit, është lexuar njëkohësisht edhe si një mesazh për drejtuesit më të lartë të klubit, të cilët, për ta rikthyer skuadrën në nivelet më të larta, duhet të shpenzojnë në merkato, sepse në të kundërt, klubi mund të përfshihet sërish në një krizë të gjatë kohore, nga e cila mund të jetë mjaft e vështirë të rikthehet në krye.