Eriksen drejt largimit, te cila skuadër do të shkojë?!

Sport

Christian Eriksen me gjasa nga sezoni i ardhshëm nuk do të jetë pjesë e Tottenham. Mesfushori danez zhvilloi një sezon mjaft të mirë me fanellën e ‘Spurs’-ave, që kulmoi me finalen e madhe të ‘Champions League’. Por duket se dështimi në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit nuk ka lënë një shije të mirë tek 27-vjeçari. Eriksen ka dështuar të gjejë një gjuhë të përbashkët me drejtuesit e Tottenham në bisedimet për rinovimin e kontratës, ndërsa vetë danezi tashmë duket se kërkon të provojë aftësitë e tij diku tjetër. Në një intervistë të fundit, ai u shpreh se po e mendon seriozisht largimin, pas 6 sezonesh në Londër, ku ka zhvilluar 277 ndeshje me fanellën e Tottenham. Danezi tha se është në kërkim të një aventure të re, deklarata të cilat kanë vënë menjëherë në lëvizje skuadrat e interesuara për shërbimet e tij. Listën e kryeson Real Madrid, që ka treguar një interes të madh për 27-vjeçar prej shumë kohësh.

Pas kanë zyrtarizuar blerjet e para të revolucionit që do sjellë merkato verore tek ‘los blancos’ dhe me Hazard që është gjithnjë e më pranë, Eriksen duket të jetë pjesa e vetme që i mungon formacionit të Zinedine Zidane. Mirëpo vetë mesfushori nuk ka dashur të komentojë këto zëra, duke thënë se deri në fund të merkatos mund të ndodhë çdo gjë dhe ai do të ketë të tjera takime me drejtuesit e Tottenham, me të cilët tha se do të analizojnë rrugën më të mirë për të dyja palët. Por për të transferuar Christian Eriksen nuk do të jetë e lehtë pavarësisht dëshirës së lojtarit. ‘The Times’ zbulon se Tottenham kërkon të paktën 110 milionë euro për shërbimet e danezit, çfarë mund të bëjë që shumë skuadra të tërhiqen nga interesimi për të.