Giroud drejt largimit, Milani ka një listë sulmuesish për pasuesin e francezit

Sport

Milani ka nisur të mendojë se në sezonin e ardhshëm, skuadra do të jetë pa Olivier Giroud. Mediat matanë detit, por jo vetëm, bëjnë me dije se sulmuesi francez ka vendour të largohet nga 19 herë kampionët e Italisë, me të ardhmen që duket përtej Oqeanit, në Amerikë, në radhët e klubit të Los Angeles.

Në 30 Qershor, 37 vjeçarit I përfundon kontrata me Milanin dhe shtatlarti I ofensivës ka vendosur të mos rinovojë, por të largohet me parametra zero nga San Siro, ashtu sikurse në fakt erdhi në verën e 2021-shit.

Në kushte si këto, Milani ka nisur nga puna për të sjellë pasardhësin e francezit në San Siro. Për aq sa bëhet me dije nga informacionet e para, Joshu Zirkzee prin listën e kuqezinjve. Lojtari në fjalë, në pronësinë e Bolognas, është duke zhvilluar një sezon të mirë me skuadrën nga Elimia-Romagna, çka ka bërë që klubet me peshë të Europës të kthejnë vëmendjen në drejtim të tij.

Me fjalë të tjera, në këtë pistë, Milani nuk do të garojë vetëm, sepse pjesë e garës për shërbimet e Zirkzee, të paktën në Itali, është edhe Interi, kështu që konkurenca duket mjaft e ashpër. Për kartonin e lojtarit hollandez, Bologna kërkon plot 40 milionë euro, një kusht disi I vështirë ky për Milanin, duke marrë në konsideratë gjendjen financiare të klubit kuqezi.

Përveç Zirkzee, sulmuesit e tjerë që Milani ka në listë, janë Benjamin Sesko I Leipzig, apo edhe Santiago Gimenez I Feyenoord. Për gjithçka nga sa u tha më sipër, detaje më të hollësishme do të zbulohen në të ardhmen e afërt.