Icardi kontestohet nga tifozët zikaltër!

Sport

icardi 3
Një Inter i maturuar dhe që përfiton nga gabimet e rivalëve. Kështu mund të përshkruhet skuadra zikaltër pas fitores 4-0 në transfertën e vështirë të Genoas, ku të besuarit e Spallettit dominuan gjatë gjithë takimit. Pas 53 ditësh u rikthye në fushë edhe Mauro Icardi, ish-kapiteni rebel i zikaltërve, që ka krijuar kaq shumë polemika e konfuzion në javët e fundit. Argjentinasi do të shpërdoronte një rast të pastër, por do të fitonte edhe një penallti, të cilën vetë Icardi e ktheu në gol. 26-vjeçari festoi me shokët e skuadrës, që duken e kanë mirëpritur rikthimin e tij, ndërsa e njëjta gjë nuk mund të thuhet me tifozët. Icardi është vërshëllyer gjatë gjithë takimit jo vetëm nga vendasit, por edhe nga ultrasit zikaltër, që duken se nuk e kanë kapërcyer sjelljen e javëve të fundit të Icardit.

icardi 10 e1549747654229

Madje këta të fundit do të dilnin me një komunikatë në profilet e tyre zyrtare, ku sqarojnë se Mauro nuk konsiderohet më pjesë e Interit dhe se largimi i tij nga skuadra sipas tifozëve duhet të ndodhë sa më parë. Pas ndeshjes, trajneri Spalletti përgëzoi Icardin për paraqitjen e bërë, por mbeti i distancuar në lidhje me marrëdhëniet e sulmuesit me të dhe drejtues të tjerë të klubit. Të shumtë janë ata që e shohin të ardhmen e argjentinasit larg Inter dhe me krisjen e raporteve me trajnerin apo tifozët, Marotta e Ausilio mund të jenë bindur për ta lejuar largimin e Icardit gjatë merkatos së ardhshme verore. Megjithatë ka edhe tifozë të tjerë që kërkojnë një mundësi tjetër për Icardin, i cili sipas tyre duhet të mbetet pjesë e rëndësishme e projektit të klubit milanez.