INTER MERR ZEMER PER FINALEN E SEZONIT, PAS ELEMINIMIT TE JUVES

Sport

Interi mposhti 1-0 Juventusin në sfidën e vlefshme për gjysmëfinalet e kthimit të Kupës së Italisë, falë një goli të Federiko DiMarko, që realizoi golin e pestë në këtë sezon dhe të katërtin me asist të shërbyer nga Nikolo’ Barela. Pas 5 gjysmëfinaleve në të cilat zikaltërit kishin dalë gjithmonë të humbur ndaj bardhezinjve, në tentativën e gjashtë erdhi kualifikimi, pas këtij suksesi që është i pari sezonal në duelet kundër “Zonjës së Vjetër”. Për Interin është finalja e 15-të në histori – 8 prej të cilave i ka mbyllur me triumf -, si dhe e dyta radhazi, arritje që e provon për herë të dytë pas viteve 2010 e 2011. Kështu të besuarit e Inzaghit janë kualifikuar edhe për “Final Four” të Superkupës Italiane, duke qenë ende në garë për dy kompeticione, si Kupa dhe Champions League. Me pak fjalë, Interit kjo fitore ndaj një rivali të fortë si bardhezinjtë, i jep një hov të rëndësishëm për përballimin e 10 ndeshjeve të mbetura deri në fund të sezonit, pas një periudhe me oshilacione në kampionat. Mbi të gjitha, fokusi është te kapërcimi edhe i gjysmëfinaleve të Champions, ku e pret derbi i dyfishtë me Milanin. Jo pa rëndësi është edhe pozicionimi në katër vendet e para të renditjes së kampionatit, teksa për momentin Inter është i gjashti.

Sa i takon Juventusit, të mërkurën në San Siro, skuadra e Allegrit u shfaq tepër e shëmtuar për të qenë e vërtetë dhe si përfundim, humbja e katërt radhazi pas atyre 3 në kampionat, ishte e merituar. Kështu, objektivi i vetëm për torinezët kanë mbetur Europa Ligë, ku janë në gjysmëfinale me Svijan, pa harruar as qëllimin e renditjes në zonën-Champions, që si përfundim mund edhe të mos vlejë, nëse UEFA do t’i dënojë prej cështjes së falsifikimit në bilanc.