NBA, Celtics marrin revanshin ndaj Hawks; në gjysmëfinale i pret Philadelphia

Sport

Boston Celtics kanë fituar serinë ndaj Atlanta Hawks, pasi triumfuan 128-120 në ndeshjen e gjashtë. Në këtë mënyrë, Celtics jo vetëm që mbyllën serinë e raundit të parë, por morën edhe revanshin në shtëpinë e Atlanta-s, që një ndeshje më parë kishte fituar në ‘TD Garden’. Hawks provuan ta shfrytëzonin mbështetjen e tifozëve, megjithëse rezultati mbeti i balancuar deri në nisjen e periodës së katërt. Pikërisht në 12 minutat e fundit, Celtics bënë diferencën, ku patën ecuri 9-0 në dy minuta e gjysmë lojë, teksa koha i afrohej fundit. Në sekondat finale, Hawks hasën vështirësi për të vendosur topin në lojë, duke mos e mposhtur dot mbrojtjen e fortë të Celtics. Jaylen Brown ishte shënuesi më i mirë i takimit me 32 pikë, ndërsa Jayson Tatum e mbylli me 30 pikë, 14 ribaunde e 7 asiste. Marcus Smart dha kontributin e tij me 22 pikë, kurse Malcolm Brogdon, arriti të ishte i rëndësishëm me 17 pikë, ndonëse e nisi lojën nga stoli. Tek Atlanta, më i miri ishte Trae Young 30 pikë e 10 asiste, por ishte i saktë në vetëm 4 gjuajtje nga përtej harkut, nga 12 tentativa në total. Më i miri në gjuajtjet për 3 pikë ishte Jaylen Brown, që realizoi 6 nga 8 tentativa. Ndërkohë Dejounte Murray nuk shënoi më shumë se 14 pikë, por ia doli të ishte i rëndësishëm me 7 ribaunde e 11 asiste. Tani Celtics do të përballen me Philadelphia 76ers në gjysmëfinalet e ‘Konferencës së Lindjes’, në një takim që përplas dy favoritët kryesorë të kësaj konference, duke qenë se Miwaukee Bucks tashmë janë të eleminuar.