Inter nis bisedimet për huazimin e Rafinhas, ndërsa pranë janë edhe Ramires e Lopez

Sport

Rafinhan

Inter ka marrë dritën jeshile nga Barcelona për të biseduar me Rafinhan, kjo pasi katalanasit kanë rënë dakord me ofertën e zikaltërve. Huazim me të drejtë blerjen e fiksuar në 20 milionë euro dhe me 3 të tjera të premtuara si bonuse. Rafinha, djali i vogël i ish-futbollistit të njohur Mazinho, është përfaqësuar nga i ati dhe Interi po punon për ta bindur atë rreth kalimit. Por në Itali nuk janë tërësisht të bindur për këtë lëvizje. 24-vjecari Rafinha nuk ka luajtur asnjë ndeshje këtë sezon, ndërsa ka vuajtur dy lëndime tejet të rënda vitet e fundit. Më 17 shtator 2015-të, teksa luante në Champions League kundër Romës, vuajti një dëmtim të ligamentit kryqëzor të gjurit. Operacion dhe 196 ditë larg fushe. Gjërat ecën ngadalë deri te rikthimi, por pas disa problemesh muskulore, në prill të vitit të kaluar lëndoi rëndë meniskun, kësaj radhe qëndrimi në fizieoterapi ishte më i gjatë, 266 ditë. Në fakt Rafinha është rikthyer stërvitjes vetëm më 25 dhjetor, ndërsa tanimë Interi duket skuadra që mund t’i japë atij hapësirën edhe pse paratë e premtuara për të janë shumë. Ndërkohë zikaltërit kanë marrë dritën jeshile për Ramiresin, që do të vijë nga klubi kinez Jiangsui Suning, që zotërohet nga të njëjtët ortakë që kanë edhe Interin në Serie-A. Gjithashtu lëvizje ka edhe për mbrojtjen, ku është identifikuar emri i kandidatit, Lisandro Lopez i Benficas.