Ja pse Dermaku po e meriton të qendrojë në Serinë A

Sport

Në një farë momenti u krijua përshtypja se e ardhmja e Kastriot Dermakut do të ishte më shumë mundësi në një skuadër të Serisë B, pasi për mbrojtësin e Parmës dhe të Kombëtares shqiptare kishte shumë oferta të ardhura. Mirëpo vvetë lojtari nuk ka ndërmend të zbresë përsëri një kategori më poshtë dhe ka urdhëruar agjentin e tij për të refuzuar të gjitha propozimet e ardhura, me në krye Salernitanën ku ka ndikim edhe drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare përderisa ky klub zotërohet nga Claudio Lotito.  Për më tepër, tashmë duket se kuotat për qendrimin e tij në skuadrën emiliane të Serisë A janë shtuar edhe nga trajneri i Parmës, Roberto D’Aversa, i cili ka folur me superlativa për lojtarin shqiptar.

Duke dhënë kështu idenë se Dermaku do të jetë njëri prej futbollistëve tek i cili Parma do të mbështetet gjatë kampionatit të ri italian që nis këtë fundjavë. “Doja të thoja se ende nuk jemi të kompletuar përforcimeve me lojtarë, sidomos sa i takon repartit të mbrojtjes. Por për shembull, Dermaku që ishte parashikuar të largohej në mënyrë që të kishte më shumë minutazh në dispozicion për të luajtur, vërtet që më ka befasuar. Prandaj them se e meriton të qëndrojë këtu dhe t’i provojë shanset e tij pikërisht me neve në Serinë A”, u shpreh tekniku i Parmës. Ndërkohë, Dermaku u aktivizua së fundi vetëm për 8 minuta si zëvendësues i Gagliolo, në takimin e fituar 3-1 nga Parma ndaj Venecias, ndeshje e vlefshme për raundin 1/32 të Kupës së Italisë. Ndërsa vetë mbrojtësi ka shprehur kënaqësinë për këtë debutim zyrtar, përmes profilit të Instagramit.