Karim Benzema nuk dorëzohet/ Vazhdon përpjekjet për transferimin e Kylian Mbappe në radhët e Real Madrid

Sport

Karim Benzema nuk dorëzohet. Francezi vazhdon me përpjekjet e tij, duke bërë në njëfarë mënyre edhe rolin e menaxherit, për të bërë të mundur transferimin e Kylian Mbappe në radhët e Real Madrid. Në një intervistë të dhënë së fundmi për L’Equipe, sulmuesi i qendrës nuk e ka fshehur dëshirën për të luajtur në të njëjtin klub me bashkëkombasin e tij, duke thënë se së bashku do realizonin nga disa gola në çdo ndeshje.

“E kam thënë shpesh dhe vazhdoj ta them se do të dëshiroja shumë që Mbappe të vijë në Madrid. Më pëlqen tej mase të luaj me të në kombëtare dhe dua që kjo të ndodhë edhe në nivel klubesh. Mendoj se do realizonim shumë gola së bashku. Kuptohemi mirë me njëri-tjetrin dhe I dimë lëvizjet tona në fushë”, është shprehur ndër të tjera 34 vjeçari.

Ndërkohë, teksa i përfundon kontrata në fund të sezonit me PSG, Mbappe, me një deklaratë të bërë gjatë ditëve të fundit ka ndezur mjaft dyshime rreth të ardhmes së tij. Pavarësisht zërave se kampioni i botës ka zgjedhur Realin për të vijuar karrierën, vetë lojtari e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se për momentin nuk ka arritur akord me asnjë klub tjetër. Madje, 23 vjeçari ka lënë të hapur mundësinë e rinovimit me PSG.