Klopp lavdëron Guardiolan, e cilëson kundërshtarin e tij më të fortë

Sport

Jurgen Klopp ia doli që në sezonin e shkuar të shënonte emrin e tij mes trajnerëve që kanë fituar trofeun e ‘Champions League’. Liverpooli i teknikut gjerman është absolutisht një nga skuadrat me futbollin më të bukur në kontinent dhe për këtë, Klopp thotë se kanë punuar me detaje të gjitha ata që janë pjesë e klubit. Por i pyetur së fundmi se cili trajner ka qenë kundërshtari i tij më i fortë deri më sot, Klopp e ka të thjeshtë të përgjigjet. Kreu i stolit të Liverpool tha se Pep Guardiola është padyshim trajneri më i mirë me të cilin ai është sfiduar ndonjëherë.
“Pep Guardiola… Nuk kam çfarë të them. Ai ka fituar shumë tituj, mënyra se si skuadrat e tij luajnë. Është i veçantë. Është trajneri më i mirë kundër të cilët kam luajtur. Është një nder të garoj krah tij”.
Klopp nuk i kurseu elozhet ndaj kolegut të tij duke thënë më tej se Guardiola është ndër të paktët trajnerë në qarkullim që thuajse gjithmonë të gjejë një zgjidhje, pavarësisht situatave në të cilat ndodhet. Tekniku gjerman shtoi se marrëdhëniet mes tij dhe trajnerit të Manchester City janë mjaft të mira dhe se të dy gëzojnë respekt të madh për njëri-tjetrin, brenda dhe jashtë fushe. Edhe pse janë rivalët kryesorë të njëri-tjetrit thuajse në çdo kompeticion, si Klopp edhe Guardiola, kanë ditur të qëndrojnë brenda limiteve edhe në sfidat e ndezura mes Liverpool dhe Manchester City.