ZBULOHET PRAPASKENA E MERKATOS PER MARASH KUMBULLAN

Sport

Marash Kumbulla do të vazhdojë të veshë fanelën e Romës të paktën edhe për 2 sezone të tjera. Mbrotjësi i kombëtares shqiptare pavarësisht se nuk është një titular fiks, sërish konsiderohet i rëndësishëm për të ardhmen e verdhekuqve. Nga Italia thuhet se tashmë mes palëve është arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës, që i skadon në 2025-n. Aktualisht 23-vjeçari përfiton te Roma 1.8 milionë euro, ndërsa zgjatja e kontratës do të jetë deri në vitin 2027. Këtë sezon Kumbulla ka mundur të luajë në 10 ndeshje, ndërsa do të jetë i gatshëm për Jose Mourinhon në takimin me Torinon pasi ka shlyer edhe pzeullimin për kartonin e kuq që mori ndaj Sassuolos. Ndërkaq, agjenti i tij Giani Vitali ka zbuluar prapaskenat e transferimit të mbrojtësit shqiptar nga Verona te Roma në 2020-n. Sipas tij, Napoli ishte interesuar për Kumbullën në janar të 2020-s, duke e kërkuar ta merrte menjëherë. Por atëherë, Marashi preferoi të mbyllte sezonin në Verona, prandaj nuk u bë gjë. Kështu që në verë, Napoli nuk e kërkoi më, ndryshe nga Roma, që u tregua edhe më e vendosur se klube të tjera të mëdha që e donin lojtarin.

Ndër të tjera, menaxheri i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare ka pranuar se e priste që Kumbulla të mbërrinte deri në nivelin se ku është, pasi e ka parë të rritet që nga Verona U-17 dhe ishte i bindur që do të bëhej një lojtar që mund të kishte ambicje për kënaqësi më të mëdha në këtë botë. Por natyrisht që në karrierën e tij ka qenë i rëndësishëm edhe trajneri Juric, i cili ishte i pari që i dha besim në vitin e tij të parë në Serinë A. Përderisa ish-trajneri i Veronës, tashmë tek Torino, nuk shihte moshën, por meritat.