Kylian Mbappe duket më pranë Real Madrid, sesa rinovimit me PSG

Sport

Kylian Mbappe duket më pranë Real Madrid, sesa rinovimit me PSG. Presidenti i klubit francez, AL Khelaiffi, me anë të një deklarate të dhënë në ditët e fundit, i ka vendosur ultimatum lojtarit, ose të rinovojë kontratën, ose në të kundërt do të shitet me çdo kusht përgjatë kësaj vere.

Nga ana tjetër, duke u bazuar edhe në qëndrimin e vetë lojtarit, i cili disa javë më parë, e pranoi publikisht se nuk ka dëshirë të rinovojë, mediat e huaja, raportojnë se Mbappe, ka arritur një marrëveshje paraprake me Real Madrid. Bëhet fjalë për një kontratë 5 vjeçare, nga e cila, sulmuesi do të përfitojë 50 milionë euro në sezon.

Nëse gjithçka konkretizohet këtë verë, atëherë “operacioni” pritet të kushtojë miliona për klubin spanjoll dhe me shumë mundësi, mund të vendoset transferimi më i shtrenjtë i bërë ndonjëherë në historinë e futbollit.

Që Mbappe të largohet këtë verë nga “Parc des Princes”, ndonëse ka vetëm edhe një vit të vlefshme në kontratë, klubi francez kërkon rreth 200 milionë euro për ta lënë të lirë futbollistin, për më tepër që nuk gëzon një raport pozitiv me klubin spanjoll.

Reali është vetë dëshira e Mbappe, mirëpo, PSG është gati të negociojë me çdo klub tjetër që troket me një ofertë të kënaqshme në dyert e “Parkut të Princave”. Klubi tjetër që interesohet dhe po ndjek nga afër situatën e Mbappe, është Liverpool. Sikurse është raportouar në mediat e huaja, The Reds janë gjithashtu gati të “thyejnë” bankën për të siguruar shërbimet e 24 vjeçarit. Ata kanë gati një projekt që prej shifrën e 250 milionë eurove.

Merkatoja e verës është ende e gjatë, e sigurisht që telenovela e quajtur “Kylian Mbappe”, duket se ka ende edhe shumë episode të tjera.