Lajme të mira për tifozët e Barcelonës…

Sport

Në një të ardhme shumë të afërt, priten lajme mjaft të mira për tifozët e Barcelonës. Katalanasit, synojnë që të rinovojnë me dy nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, sikurse janë Gavi dhe Araujo.

Sikurse raporton Sport, objektivi i klubit është që kjo çështje të mbyllet brenda muajit mars, ndërsa për dy lojtarët në fjalë, do të vendoset një klauzolë prej 1 miliard eurosh, sikurse ka ndodhur më herët me Pedrin, Ansu Fati, apo edhe Ferran Torres.

Marrëveshja aktuale e Gavit përfundon në verën e 2023-shit, ndërsa Barcelona pritet t’i ofrojë një kontratë 5 vjeçare djaloshit, pasi e shikon atë tepër të rëndësishëm për të ardhmen.

Më tej, po në vitin 2023 skadon edhe kontrata e mbrojtësit të qendrës, Araujo, klauzola e të cilit për momentin nuk është më shumë sesa 200 milion euro. Në këto kushte, Barcelona nuk kërkon të vonohet më tepër, por dëshiron ta mbyllë sa më shpejt të jetë e mundur këtë temë, për faktin se për uruguajanin ka oferta nga klubet angleze, që në fakt, i ofrojnë lojtarit një pagë më të lartë, sesa ajo që mund të sigurojë Barcelona.

Probleme në këtë mes, nuk pritet të ketë, për vetë faktin se edhe dëshira e Araujos është që të vazhdojë të luajë në Camp Nou për vitet e ardhshme të karrierës. Diçka të tillë, lojtari në fjalë ia ka konfirmuar edhe trajnerit Xavi Hernandez, teksa ka qenë një ndër lojtarët më në formë përgjatë kohëve të fundit në ndeshjet e Barcelonës.