Lionel Messi është zyrtarisht një lojtar i Inter Miami

Sport

Lionel Messi është zyrtarisht një lojtar i Inter Miami, klub në të cilin është transferuar me parametra zero, pasi i dha fund aventurës dy vjeçare me PSG. Pas një telenovele shumë të gjatë rreth të ardhmes së tij, argjentinasi vendosi që karrierën ta vazhdojë përtej Oqeanit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në media, u diskutua gjerësisht se Messi mund të transferohej në Arabinë Saudite, atje ku Al Hilal ofronte 500 mln euro në sezon për kampionin e botës. Gjithashtu, një alternativë mjaft e besueshme ishte edhe rikthimi në Barcelonë i lojtarit. Megjithatë, as njëra dhe as tjetra nuk ndodhi.

Në një deklaratë publike, vetë 7 herë fituesi i Topit të Artë, shpjegoi edhe arsyen e transferimit të tij tek Inter Miami dhe refuzimin e Barcelonës, apo Al Hilal.

“Në Europë doja të shkoja vetëm tek Barcelona, por nuk jam shumë i sigurt nëse klubi katalans bëri gjithçka të mundshme që transferimi të kryhej me sukses. Unë kam folur vetëm me trajnerin Xavi. Jam i sigurt se atje ka njerëz, që nuk e duan rikthimin tim. Për këtë arsye, e kujtoj mjaft mirë se ç’ndodhi dy vite më parë. Për të kompletuar rikthimin tim, mungonin edhe shumë gjëra të tjera. Megjithatë, ëndrra ime është që një ditë të rikthehem sërish në Barcelonë”, ka thënë fillimisht argjentinasi. Më tej, 35 vjeçari është shprehur, se nëse do të kishte zgjedhur milionat, atëherë do të ishte transferuar në Arabi tek Al Hilal. Ai ka të tjera ide për karrierën, e për këtë arsye zgjodhi Inter Miamin.

Sidoqoftë, ndonëse jo në të njëjtat shifrat sin ë Lindjen e Mesme, edhe në Amerikë, Messi do të ndiqet nga milionat. Kontrata e Messit me klubin amerikan konsiderohet dy vjeçare e gjysmë, deri në verën e 2025-tës, me mundësi rinovimi deri në 2026-tën, nga e cila, lojtari do të përfitojë deri në 140 mln euro në sezon.

Në këtë mënyrë, Lionel Messi i jep fund epokës së tij të lavdishme në Europë. “Pleshti” zbarkoi në kontinentin e vjetër në 2002-shin. Në 2005-tën, ai u bë pjesë e skuadrës së parë të Barcelonës, atje ku luajti për 16 edicione me radhë, plus dy të fundit që i kaloi në radhët e PSG.

Në total, janë 875 ndeshje të Messit në Europë dhe shifrat janë ashtu sikurse vetë lojtari, jashtëtokësore. Ai shënoi 710 gola dhe kontribuoi me 339 asiste për shokët e skuadrës.