Liverpool-Bayern, lëndimet dhe mungesat mund të përcaktojnë favoriten!

Sport

lvp bayern
Ndeshja e sotme Liverpool-Bayern do të japë një verdikt final se kush është favorite për t’i shkuar deri në fund Champions League-ës së këtij sezoni. Këtë gjë e tha hapur vetë Jurgen Klopp në konferencën për shtyp përpara sfidës në Anfield, por ajo që e karakterizon këtë përballje të parë në 1/8-at është problematika e lëndimeve. Në fakt shtypi anglez ka analizuar më së shumti këtë aspekt duke theksuar se më shumë se sa episodet, mungesat mund të jenë ata që do të ndikojnë më tepër në këtë sfidë. Van Dijk, Gomez, Alexander-Arnold dhe Dejan Lovren janë shqetësimet në mbrojtje për Klopp. Nga këta katër emra, për kroatin ka shpresa që të rikuperohet për të qenë në stol. Sidoqoftë në formacion dyshja e qendrës do jetë me Matip dhe Fabinho. Me gjasa në të djathtë mund të debutojë 17-vjecari holandez Ki-Jana Hoever. Pikërisht në këtë repart shtypi anglez e ka cilësuar si gabim huazimin e Nathan Clyne nga Klopp. Por edhe te Bayerni ka probleme. Boateng, Robben, Tolisso dhe Coman janë emrat që shqetësojnë Niko Kovacin. Thomas Muller është i pezulluar prej kartonit të kuq me Ajax-in, dhe nëse francezi Coman nuk riaftësohet plotësisht, atëherë sulmi do jetë i gjithi mbi shpatullat e Robert Lewandowskit. Edhe të kuqtë kanë pasur probleme në sulm me Shaqirin dhe Firminon, por të dy thuhet se janë riaftësuar mjaftueshëm për të qenë gati për këtë sfidë. Nga mungesat, natyrisht Liverpooli duket më në situatë të keqe. Dyshja Gomez-Van Dijk cilësohej e pakalueshme në Premier me një statistikë vetëm 6 gola të pësuar në 1373 minuta lojë që ata kanë qenë në mbrojtje. Zëvendësuesi Fabinho është më tepër një mesfushor se sa një mbrojtës, ai është provuar 2 herë deri më tani në qendër, kundër Brightonit dhe Wolvesit, por Bayerni dhe Champions Leaguea, sigurisht, janë krejt tjetër gjë.