Liverpool “pushtohet” nga dëmtimet, lëndohen 3 lojtarë

Sport

Liverpool “pushtohet” nga dëmtimet. Humbja 3-2 ndaj Arsenalit në kampionat, përveç zhgënjimit, ka lënë të tjera pasoja për skuadrën e drejtuar nga Jurgen Klopp. Bilanci në infermierinë e ekipit nga Merseyside ka nisur të rëndohet dhe reparti më i prekur është mbrojtja.

Joel Matip dhe Trent Alexander-Arnold janë dy lojtarët e radhës të dëmtuar. Sa i përket situatës së Arnold, mendohet se anglezi do jetë jashtë fushave të lojës për një periudhë 2 javore si pasojë e

dhimbjeve në kavilje, ndërsa Matip deri në 3 javë, si pasojë e problemeve në pulpë.

Përgjatë kësaj kohe, të dy futbollistët në fjalë nuk do munden të jenë të gatshëm në një sërë ndeshjesh të rëndësishme, mes Champions League dhe kampionatit.

Mbrojtja ka qenë reparti më pak në formë deri në këtë fillim sezoni për Liverpool. Në 8 javë të luajtura në Premier League, të kuqtë e Merseyside kanë pësuar 12 gola, ndërsa kanë mundur të fitojnë vetëm 2 ndeshje.

Mirëpo, nuk mbyllet me kaq. Një tjetër lajm negativ për Jurgen Klopp është edhe dëmtimi i Luis Diaz. Ndaj Arsenalit, kolumbiani u dëmtua në gju, e si pasojë do jetë jashtë për një periudhë 10 javore. Kjo do të thotë se anësori mund të mos rikuperohet më përgjatë 2022-shit, por mund të kthehet në aksion në janarin e vitit të ardhshëm.

Pra, në mungesë të rezultateve, shtuar këtu edhe dëmtimet e njëpasnjëshme, Jurgen Klopp tashmë ka një mission tepër të vështirë për të kompletuar. Në vijimësi, trajneri gjerman nuk do ketë të gatshëm 3 lojtarë bazë të formacionit, ndërsa në krahun tjetër, është i detyruar që të fitojë, sepse në të kundërt, skuadra e tij mund të mbetet jashtë çdo objektivi, ende pa filluar mirë sezoni.