Manchester United mbetet jashtë Champions League, dy rivalë londinezë në garë për vendin e 4

Sport

Manchester United mbetet jashtë Champions League për sezonin e ardhshëm. Ndonëse matematika i mban ende në lojë, duket shumë e vështirë që djatë e kuq ta mbyllin kampionatin në vendin e 4 të tabelës së renditjes.

Të besuarit e Ralf Ragnick kanë vetëm 2 ndeshje në dispozicion për të luajtur deri në fund, krahasuar me nga 4 takime që kanë për të zhvilluar rivalët e Arsenal dhe Tottenham.

Sfida ndaj Brentfordit, e fituar 3-0, ishte e fundit për këtë sezon e luajtur në Old Trafford për Manchester United, ndërsa dy takimet e fundit, djajtë e kuq i luajnë në transfertë, fillimisht ndaj Brighton dhe më pas ndaj Crystal Palace. Njëkohësisht, kjo mund të ketë qenë edhe ndeshja e fundit për Cristiano Ronaldon në Teatrin e Ëndrrave si lojtar i United. Të mbetur thuajse jashtë Champions League, nuk përjashtohet mundësia që portugezi të largohet këtë verë nga djajtë e kuq.

Ndërkohë, me United të mbetur jashtë garës, beteja për vendin e 4 tashmë është kthyer mes Arsenal dhe Tottenham. Për momentin janë Gooners ata që klasifikohen të 4-tit me 63 pikë, dy më shumë sesa Spurs. Ndeshjet e fundit do jenë vendimtare për të dyja skuadrat, për të parë se cili prej rivalëve londinezë do arrijë të sigurojë një vend për në fazën e grupeve të UEFA Champions League.