Marquez fiton edhe në Aragon, titulli gjithnjë e më pranë

Sport

Marc Marquez po i afrohet gjithnjë e më shumë konfirmimit si kampion bote në ‘MotoGP’, me spanjollin që fitoi me lehtësi edhe në garën e Aragonit. Piloti i Hondas administroi si duhet garën dhe e mbylli me një diferencë të konsiderueshme përpara ndjekësve të tij, duke mbyllur çdo diskutim për titullin, por edhe duke iu përgjigjur sërish kritikave që nuk ishin kursyer ndaj tij deri para garës së San Marinos. Marquez la pas vetes Andera Dovizioson me Ducati, që nuk mundi të ruajë ritmin e rivalit të tij. Ndërsa podiumi u plotësua nga australiani Jack Miller, që ia doli të kalonte në xhiron e fundit, pilotin e Yamahas, Maverick Vinales. Ky i fundit e nisi garën në sulm dhe dukej në ritmin e duhur për të rivalizuar më të gjithë ata që ishin përpara tij, por rendimenti i Yamahas filloi të bjerë, duke bërë që Vinales të humbasë shumë.

Zhgënjen Valentino Rossi, që nuk shkoi më larg se vendi i 8, kjo edhe për shkak të paraqitjes jo shumë të mirë të motorit të tij, ndërsa Rins u kënaq me pozicionin e 9, pasi më herët ishte përfshirë edhe në një incident me Franco Morbidellin. Paraqitje e dobët e Ducatit tjetër, Danilo Petrucci, që e mbylli i 12-i, ndërsa për Jorge Lorenzon kjo ishte një tjetër garë për t’u harruar. Kjo ishte fitorja e 8 për këtë sezon për Marc Marquez, që numëron 300 pikë në renditjen e përgjithshme, teksa Dovizioso ndjek i distancuar me 202 pikë. Më e komplikuar duket të jetë situata në renditjen e konstruktorëve, ku Honda kryesuese ka një diferencë prej vetëm 65 pikësh me Ducatin.