Marquez fiton në Jerez dhe merr kryesimin e klasifikimit!

Sport

Marc Marquez është fituesi i ‘Çmimit të Madh’ të Spanjës në MotoGP për vitin 2019. Marquez mori kryesimin e garës që në startin e saj, dhe prej aty çdo gjë u menaxhua qetësisht nga kampioni i botës, ndryshe nga çfarë ndodhi në garën e kaluar në Austin të Shteteve të Bashkuara të Amerikë. Në Jerez, Marquez la pas vetes Alex Rins me Suzukin, që bëri një tjetër garë të jashtëzakonshme, duke konfirmuar në një farë mënyre edhe formën e mirë që po kalon marka japoneze. Podiumi u plotësua nga Maverick Vinales me Yamaha, që zhvilloi një garë mjaft të luftuar, sidomos me Dovizioson, me të cilin dueloi deri në kthesën e fundit. Italiani i Ducatit nuk shkoi më shumë se vendi i katërt, ndërsa pasi tij u rendit shoku i skuadrës, Danilo Petrucci.

Krejtësisht i pafat ishte talenti francez, Fabio Quartararo, që pasi i rrëmbeu vendin e dytë Morbidellit, pati një defekt në motorr, duke bërë që 20-vjeçari të dilte jashtë gare i përlotur. Një garë të mirë bëri Valentino Rossi, që u rendit në vendin e gjashtë, duke fituart 7 pozicione nga starti i garës. Yamaha e ‘doktorit’ nuk ishte në një ditë mirë dhe nuk i dha mundësinë veteranit italian të duelonte me Ducatit që ishin përpara tij. Ky ishte triumfi i 46 për Marc Marquez në ‘MotoGP’, teksa kampioni i botës në fuqi ka rimarrë kryesimin e klasifikimit, ku udhëheq me 70 pikë, 1 më shumë se Alex Rins i Suzukit. Ndërsa më pas ndjekin Andrea Dovizioso dhe Valentino Rossi, përkatësisht me 67 dhe 61 pikë.