Mbappe merr përgëzimet e Pele’. Por a është më i shpejti në botë?

Sport

mbappe

Njëkohësisht me rënien e dy të cilësuarve si futbollistët më të mirë në botë, Messi e Ronaldo -, që i dhanë lamtumirë atij që ndoshta do të jetë Botërori i tyre i fundit -, një tjetër as u ngjit në skenë, në vendin e tyre. Ai quhet Kylian Mbappe. Talenti 19-vjeçar i Francës u shfaq dominues jo vetëm me dy golat vendimtarë për rezultatin, por duke u përfshirë edhe në të gjithë aksionet më të rëndësishëm të skuadrës së tij. Ndonëse veçanërisht hyri në histori si lojtari i dytë nën 20 vjeç, që shënon dy gola në një fazë finale të Botërorit. Praktikisht po tenton t’i afrohet Pelesë, atij që mban ende rekordin si më i riu që ka realizuar një dopietë në Kupën e Botës. Braziliani ishte 17 vjeç e 8 muaj kur i shënoi dy herë Suedisë në Botërorin e ’58-s. Ndërsa francezi duhet të kënaqet me shkallën e dytë të podiumit, duke qenë 19 vjeç e 6 muaj. Por me siguri do të ketë kohën për të thyer shumë rekorde. Ndërkaq ka marrë vlerësimet e “O’Rey”-t, që përmes Twitter-it ka shkruar: “Përgëzime Mbappe! Me dy gola të shënuar brenda një ndeshje Botërori në një moshë aq të re, je vërtet në shoqëri të mirë. Të uroj fat për ndeshjet e tjera… përjashto atë me Brazilin”, duke iu referuar këtu gjysmëfinales së mundshme mes Selesaos dhe francezëve.

pele
Një rekord që u fol shumë sikur u thye nga Mbappe ishte ai i shpejtësisë së sprintierit xhamajkan, Usain Bolt, i cilësuar si njeriu më i shpejtë në botë. Ishte minuta e 12-të e ndeshjes me Argjentinën kur talenti i PSG përshkoi 55 metra në 7 sekonda, për të hyrë në zonë dhe për të marrë penalltinë e kthyer në gol nga Griezmann. Mirëpo statistikat zyrtare thonë se nuk ka qenë më i shpejtë sesa Bolt. Sipas të dhënave të nxjerra nga FIFA, francezi vrapoi me një mesatare prej 32.4 km/h. Duke arritur maksimalisht 38 km/h. Nëse bëhet një krahasim me rekordin e fiksuar nga Bolt në 2009-n, kur vrapoi 100 metra për 9 sekonda e 58 të qindat, rezulton se shpejtësia e tij mestare ishte 37.54 km/h, më e lartë se mesatarja e Mbappe. Ndërsa shpejtësia maksimale e regjistruar nga xhamajkani ishte 44.72 km/h. Pra, me një distancë prej 6 kilometrash në orë më lart, sesa numri 10 i Francës, që nuk është bërë më i shpejti në botë. Por me siguri, përveçse më i riu që shënon dy herë, është edhe sprintieri i këtij Botërori.