MotoGP, Dani Pedrosa do të zbulojë të ardhmen e tij në garën tjetër

Sport

pedrosa
Dani Pedrosa nga viti i ardhshëm nuk do të jetë pilot i markës Honda dhe për momentin mbetet emri më i diskutuar në “MotoGP”. E ardhmja e 32-vjeçarit mbetet ende e paqartë, pasi skuderitë kryesore i kanë konfirmuar se cilët do të jenë pilotët e tyre për sezonin e ardhshëm. Shumë flasin se Pedrosa do të tërhiqet përfundimisht nga “MotoGP” dhe me gjasa do të vazhdojë karrierën në një kategori tjetër. Ndërsa ditët e fundit po përflitet edhe se ai mund të jetë pjesë e skuadrës së re që do jetë prezente sezonin e ardhshëm, të quajtur Petronas Yamaha. Nga 2019-a, kjo e fundit do të jetë skuadra satelite e markës Yamaha, që më herët këtë sezon lajmëroi ndërprerjen e bashkëpunimit me Tech3.

dani
Pedrosa në fakt është i qartë me zgjedhjen e tij dhe ka lajmëruar se e ka marrë një vendim, por që nuk do ta bëjë të ditur deri në garën e ardhshme të “Çmimit të Madh” të Gjermanisë. Me Hondan këtë sezon ai nuk ia ka dalë të arrijë më shumë se vendi i pestë, në të cilin e ka përfunduar 2 herë garën, fillimisht në Le Mans dhe më pas në Barcelonë. Sa i përket garës së fundit në Assen, Pedrosa zhgënjeu krejtësisht dhe zhvilloi një nga përformancat më të dobëta të tij në sezonet e fundit. Ai e mbylli i 15-i, me një diferencë prej plot 16 sekondash nga shoku i tij i skuadrës, Marc Marquez, që e mbylli i pari. Ndërsa në renditjen e përgjithshme, Pedrosa numëron deri më tani vetëm 41 pikë të grumbulluara.