MotoGP, Ducati dominon në Brno, Marquez vetëm i treti

Sport

Brno
Ka qenë një “DucatiDay” gara e Brno në “MotoGP” për këtë vit. Pikërisht aty ku skuadra italiane nuk kishte marrë rezultate pozitive prej thuajse një dekadë, Dovizioso dhe Lorenzo ia dolën ta mbyllnin në dy vendet e para.
Gara në fakt filloi mirë për Valentino Rossin, që arriti të merrte vendin e parë si piloti i vetëm në pistë për Yamahan, pasi Vinales u rrëzua në kthesën e tretë pas një kontakti me Bradl. Por me kalimin e xhirove, rendimenti i Yamaha “M1” filloi të bjerë, duke lënë Dovizioso përpara, që do të vuante presionin e Marquez dhe Lorenzo deri në fund të garës. Lorenzo nga ana tjetër pati një duel mjaft të bukur me kampionin në fuqi, i cili nga viti i ardhshëm do të jetë shoku i tij i skuadrës. Marc Marquez kësaj radhe duhej të kënaqej vetëm me vendin e tretë. Ndërkohë që Rossi e mbylli i katërti, pasi la pas vetes Cal Crutchlow, më shumë prëj eksperiencës së italianit se sa prej motorit Yamaha që vazhdon të shfaqë probleme.
Marquez mbetet në vend të parë në renditjen për pilotë me 181 pikë, i ndjekur nga Rossi me 132. Ndërsa Dovizioso për momentin është i treti me 113 pikë të grumbulluara. Ndërkohë që është ndezur akoma më shumë beteja për konstruktorë. Honda kryeson me 216 pikë, por Ducati dhe Yamaha mbeten pranë me nga 183 dhe 173 pikë.