MotoGP, Honda mendon për Oliveira-n, por portugezi i refuzon

Sport

Pas konfirmimit të largimit të Marc Marquez, marka japoneze e Honda-s është vënë në kërkim të një piloti për sezonin e ardhshëm. Mediat raportojnë se Miguel Oliveira ka qenë ndër përzgjedhjet e para të drejteusve të Honda-s, duke i vlerësuar maksimalisht paraqitjet e portugezit tek ‘RNF Aprilia’, apo edhe tek skuadra ‘KTM’ dikur. Megjithatë, në mënyrë surprizë, është vetë piloti 28-vjeçar që e ka refuzuar këtë mundësi të transferimit të tij tek Honda, duke u shprehur se për momentin, nuk e sheh si lëvizjen e duhur një kalim të tijin tek një markë tjetër. Pas shkëputjes nga ‘KTM’-ja, Oliveira ia ka dalë të përshtatet në motorin Aprilia e për këtë arsye, nuk dëshiron të hedhë poshtë përpjekjet e tij gjatë këtij sezoni, për ta nisur edhe njëherë nga e para diku tjetër. Portugezi e pranoi se ndihet i nderuar nga interesimi i shfaqur nga ana e Honda-s, pasi bëhet fjalë për një rol tek skuadra kryesore e kësaj marke. Aktualisht, Oliveira zbuloi se nuk ka një ofertë konkrete nga ana e drejtuesve japonezë, e për këtë arsye, nuk mund të flasë me siguri rreth asaj që mund t’i propozohet. Nga ana tjetër, ata të Aprilia-s kurrësesi nuk do të donin të privoheshin nga shërbimet e një piloti si Oliveira, prandaj numri 1 i markës italiane, Massimo Rivola, doli në një intervistë për mediat ku deklaronte se kanë kontrata me pilotët, që ai kërkon të respektohet. Mirëpo nga ajo që zbulohet, në kontratën e Oliveira-s ka të parashikuar një largim të pilotit portugez, në rast se 28-vjeçarit do t’i vijë një propozim nga një prej skuadrave zyrtare në ‘MotoGP’. Kjo do të thoshte se Oliveira është i lirë të transferohet tek Honda, nëse këta të fundit do të vendosin të bëjnë një ofertë konkrete për të, teksa tek Aprilia, një vend në skuadrën zyrtare mund t’i jepet jo më herët se sa viti 2025