NBA, Damian Lillard kërkon largimin nga Portland; ja ku mund të transferohet

Sport

Pas 11 sezonesh në Portland, Damian Lillard ka kërkuar largimin nga skuadra e Trail Blazers, duke kërkuar një projekt që mund të luftojë për titullin kampion në NBA. I konsideruar prej vitesh si njeriu kryesor e fytyra e Portland në dekadën e fundit, Lillard duket se i është sosur durimi për ndërtimin e një skuadre cilësore rreth tij dhe tashmë mendon të luajë diku ku prezenca në fazën ‘playoffs’, të mos vihet në diskutim. Lajmi është konfirmuar edhe nga drejtuesit kryesorë të Trail Blazers, që edhe pse do të donin ta kishin ende pjesë të organikës së ekipit një lojtar të kalibrit të Lillard, nuk kanë zgjidhje tjetër, por vetëm të gjejnë marrëveshjen e duhur për të lejuar largimin e tij. Skuadra nga Oregoni do të përfitojë jo pak nga shkëmbimi i Lillard, pasi 32-vjeçari konsiderohet ndër lojtarët më të mirë në botës për momentin. Kështu, jo shumë skuadra i kanë mundësitë për të plotësuar kërkesat e Trail Blazers për liderin e tyre, teksa 3 skuadrat që përflitet se kanë nisur bisedimet me drejtuesit e Portland janë Miami Heat, LA Clippers dhe Philadelphia 76ers.

Vetë lojtari e ka shprehur prej kohësh dëshirën e tij për të luajtur me skuadrën e Miami Heat, ku do të gjente edhe disa miq të mirë të tij, si Bam Adebayo apo Jimmy Butler. Ndërkohë që një respekt të madh, Lillard ka shprehur edhe për San Antonio Spurs, por këta të fundit, që afruan Wembenyama si zgjedhjen e parë të ‘Draft’-it të këtij viti, nuk mund t’i garantojnë një skuadër për titull në sezonin pasardhës. Kurse Clippers e Sixers i kanë asetet e nevojshme për të afruar Lillard, edhe pse do të duhej të sakrifikonin ndonjë prej yjeve aktualë të ekipeve të tyre, si dhe një seri zgjedhjesh në ‘Draft’-et e ardhshme. Që kur debutoi në NBA, Damian Lillard ka qenë pjesë e Portland Trail Blazers, si zgjedhja e gjashtë në raundin e parë të ‘Draft’-it të vitit 2012. Lillard ka qenë 7 herë pjesë e ‘All Star’ dhe ‘Rookie of the Year’ në vitin e debutimit, teksa dërgoi Blazers në finalet e ‘Konferencës së Perëndimit pas më shumë se 1 dekade.