Ouen: Salah mund të fitojë ‘Topin e Artë’, po mundi Ronaldon

Sport

owen
Ylli i Egjiptit, Mohamed Salah ka realizuar një sezon të parë të pabesueshëm në “Anfield”, duke shënuar 44 gola në të gjithë kompeticionet, duke përfshirë edhe ato 11 në sfidat e Champions League-s. Një ecuri e tillë ka shtuar optimizmin e Liverpulit, për faktin që mund të mbështetet tek një lojtar si ai edhe në finalen e Champions League ndaj Realit. Madje, ish-sulmuesi i Reds, Majkëll Ouen është i mendimit që nëse egjiptiani arrin të dalë triumfues të shtunën përballë Cristiano Ronaldos, atëherë ai meriton të fitojë edhe “Topin e Artë”. Oëen ka pranuar se për mënyrën sesi luan Salah dhe me aftësitë që zotëron, ai e meriton të marrë çmimin më prestigjoz që jepet për një futbollist. “Do të varet vetëm nëe do t’ia dalë apo jo të fitojë trofeun. Mund të bësh një sezon të madh, por nëse nuk fiton asgjë, atëherë është e kotë. Prandaj, do të jetë e rëndësishme për të që të rrëmbejë Champions League-n”, ka thënë Ouen.

salah ronaldo
Viti 2007 ishte hera e fundit që Liverpuli luajti një finale, duke humbur 2-1 ndaj Milanit. Tani, “Reds” i drejtohen sërish aktit finale të kompeticionit, pasi eleminuan ekipe si Porto, Manchester Siti dhe Roma. Ish-sulmuesi anglez, që ka luajtur edhe me Realin, paralajmëron për faktin se diferencën mund ta bëjë përvoja e spanjollëve për të fituar sfida të tilla. Mirëpo mendon se stili i Liverpulit bën që ata të luajnë më mirë ndaj kundërshtarëve më të fortë. Sa i takon gjetjes së skuadrës që do të fitojë, Ouen e ka të vështirë të përmendë një emër.