PSG vs Newcastle, TS2 HD, 20:45

Sport

Luis Enrique, trajneri i PSG:

“Gjendemi në një moment të vështirë, në një grup mjaft të komplikuar dhe për këtë arsye, kjo ndeshje është tepër e rëndësishme për ne, sepse shumë gjëra mund të vendosen sonte, edhe pse gjithçka pritet të shkojë deri në javën e fundit.

Megjithatë, ajo që di të them, është se skuadra ime është gati. Duam fitoren dhe për këtë do tël ëmë gjithçka në fushën e lojës.

Të dhëna mbi ndeshjen? është e vështirë të japësh përgjigje të saktë mbi këtë temë. Sigurisht që aspekti taktik është i rëndësishëm, por asnjë skuadër në botë nuk i zbaton 100% ato, sepse shumë gjëra varen nga mënyra e lojës, apo edhe e rezultatit. Ne i përshtatemi asaj që ndodh në fushë dhe është e nevojshme të japim më të mirën kur na paraqitet mundësia. Gjithësesi, për sonte e kemi një plan, për mënyrën sesi duhet t’i qasemi kësaj sfide.

 

 

Njukasëll? Fizikisht, ata janë një skuadër tepër e fortë. Zotërojnë aftësinë për të ushtruar pressing shumë larg dhe krijojnë mjaft intensitet. E dimë se edhe sonte kështu do të jetë, për këtë arsye duhet të tregohemi të vëmendshëm. Pavarësisht lojës, strategjia jonë është e qartë: duhet të qarkullojmë topin sa më shumë në fushën e kundërshtarit dhe t’i ndalojmë të krijojnë raste shënimi. Këtu jemi në Champions League dhe kundërshtarët kanë më tepër kualitet. Sidoqoftë, kjo gjë duhet të na motivojë dhe të na bëjë të jemi më të mirët, si në fazën mbrojtëse, gjithashtu edhe në atë sulmuese.

Tifozët? Parc des Princes do të jetë pas nesh. Prej një atmosferë të zjarrtë, pasi e kemi mëse të nevojshme. Kjo është nga ato ndeshje që duhet trajtuar si një finale. Në këto nivele, ndeshjet e shtëpisë janë çelësi i suksesit. Përkrahësit tanë janë një asset i çmuar për ne dhe për këtë arsye, presim një mbështetje massive nga shkallët e stadiumit. Sa më e fortë të jetë lidhja mes lojtarëve dhe tifozëve, aq më të thjeshta bëhen edhe gjërat, në veçanti në momente të vështira si këto.”

Vitinha, mesfushori i Parisit:

“Ashtu sikurse në ndeshjen e vajtjes ndaj Njuksëll, edhe sonte presim të jetë një sfidë e një vështirësie tepër të lartë. Atë mbrëmje, anglezët ishin shumë në formë dhe këtë e vërtetuan më së miri. Megjithatë, ajo që ndodhi i përket së shkuarës dhe unë, bashkë me skuadrën, duhet të përqendrohemi në sfidën e kësaj mbrëmjeje.

Këtu jemi në Champions League dhe duke marrë parasysh situatën e grupit, fitorja është rruga e vetme për ne. besojmë se mund t’ia dalim dhe të kualifikohemi për më etj, por është e rëndësishme të mos mendojmë aq larg. Vëmendja duhet të jetë maksimale, vetëm për sfidën e radhës. Detyra jonë është të japim maksimumin në fushën e lojës, diçka për të cilën jam i bindur se do të ndodhë.

Në aspektin personal ndihem mirë. I kam bërë sezonit një nisje pozitive, por kjo nuk mjafton. Duhet të bëj gjithmonë e më mirë, në mënyrë që të ndihmoj edhe skuadrën. Bashkë me Mbappe, ne gjithmonë kombinojmë mirë me njëri-tjetrin, por mendoj se në këtë aspekt, ende ka nevojë për përmirësim.”

 

Eddie Hoëe, trajneri i Njukasëll:

“Skuadra po kalon moment të mirë, në veçanti nga rezultati i ndeshjes së fundit. Duke marrë parasysh mungesat që kemi gjatë kësaj kohe, fitorja ishte shumë e rëndësishme për ne, sepse kjo na bën të kemi më tepër besim se mund t’ia dalim.

Lojtarët meritojnë lëvdata dhe gjithçka e arritur, është meritë e tyre. Në fundjavë arritëm të fitonim ndaj një skuadre mjaft të mirë, sikurse është Chelsea. Jo vetëm kaq, por edhe në ndeshjet e tjera, ekipi është treguar kompakt në fushë dhe mbrojtja është shfaqur rezistente. Sonte kemi sërish nevojë për një paraqitje të tillë.

Në Parc des Princes na pret një atmosferë ndryshe, që mund të ketë ndikim në performancë dhe në rezultat. Asgjë nuk është e garantuar. I kemi parë me kujdes dy ndeshjet që kemi luajtur në transfertë dhe kemi marrë mësim prej tyre, diçka që do përpiqemi ta reflekojmë sonte në fushën e lojës.

PSG? Ata kanë një skuadër me plot kualitet në cdo pozicion. Që nga ndeshja e fundit me ne, ata janë përmirësuar shumë. Kanë shënuar gola dhe kanë treguar qëndrueshmëri në prapavijë. për të dalë me një rezultat pozitiv nga këtu, duhet të tregojmë një energji të pashtershme, pasi ky është një moment përcaktuar për ne në Champions League. Jemi të vetëdijshëm për klasifikimin tonë në grup dhe për këtë arsye, e kemi të domosdoshme të shkarkojmë të gjitha bateritë në fushën e lojës. “

Nick Pope, portieri i Njukasëll:

“Përpara në pret një ndeshje e vështirë, por është nga ato sfida që duam t’i luajmë. Në ndeshjen e kaluar ndaj Parisit kemi treguar se mund të përballojmë më së miri një nivel kaq të lartë, e për këtë arye sonte nuk duhet të justifikohemi për asgjë.

Me rezultatet që kemi marrë përgjatë muajve të fundit, kemi treguar se e meritojmë të luajmë edhe në Champions League, kështu që i gjithë grupi ëshë i bashkuar drejt një qëllimi të vetëm. Synimi është kualifikimi në raundin tjetër të Championsit, por ky nuk është momenti të mendojmë për një gjë të tillë. Është tepër e rëndësishme t’i marrim ndeshjet me radhë, sepse në këtë mënyrë jemi përqendruar.

Përgjatë këtij rrugëtimi, i kemi provuar të gjitha pozicionet e renditjes në grupin tonë dhe nga kjo gjë kemi mësuar shumë. Për momentin renditemi të fundit dhe asnjë rezultat tjetër përveç fitores nuk mund të jetë i dobishëm për ne. Vijmë nga një moment i mirë dhe shpresoj që një gjë të tillë ta tregojmë edhe sonte në fushën e lojës. E përsëris që duke marrë shkas nga ndeshja e vajtjes me Parisin, sonte, nuk pranohet asnjë justifikim nga ana jonë.”