Rrahmani, tani nuk e di se kur do të shkojë te Napoli

Sport

Coronavirusi mund të thuhet se ndërpreu supersezonin e Amir Rrahmanit, që mjaftoi për të bindur edhe drejtuesit e Napolit që ta detyrojnë të firmosë një kontratë që do të dërgojë në “San Paolo” duke nisur nga korriku. Megjithatë vetë mbrojtësi kosovar ka shprehur dyshime mbi ditën se kur do të transferohet zyrtarisht me Napolin. “1 korriku është data e parashikuar nga kontrata, por nuk e di se çfarë do të bëhet. Fillimisht ishte vendosur se brenda 4 prillit do të mund të riktheheshim për të luajtur, por rinisja e Serisë A pritet të shtyhet ende. Nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë”, kanë qenë fjalët e Rrahmanit.
Ndeshja e fundit që ka luajtur në kampionatin italian është ajo kundër Sampdorias, disa lojtarë të të cilës rezultuan pozitiv me “Covid-19”. “Për këtë arsye u detyruam të qendrojmë të izoluar. Gjithsesi nuk bëmë teste, përderisa nuk patëm simptoma”, rrëfeu 26-vjeçari.
Në lidhje me mënyrën sesi po e përjeton karantinimin, ai ka treguar se ka mbetur vetëm me bicikletën e tij. Në fund është shprehur i kënaqur mbi shtyrjen e ndeshjes kundër Maqedonisë, duke thënë se është më mirë kështu, përderisa Kosova do të kishte zbritur në fushë për të luajtur pa tifozë. Sipas tij është e shëmtuar të luash pa shtysën e publikut. Ndërkohë që ka uruar që një situatë e tillë të mbarojë sa më shpejt.