Serie A, Milan provon sërish për Hakim Ziyech

Sport

Prej thuajse 1 viti, emri i Hakim Ziyech është lidhur shpesh me një transferim tek Milani. Kuqezinjtë janë përpjekur gjatë merkatos së verës, por edhe në atë dimëroren para saj, për të gjetur një marrëveshje me Chelsea-n për afrimin e fantazistit. Mirëpo në asnjë moment nuk ka patur një akord total, teksa problem mbetet edhe paga e lartë e 29-vjeçarit. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Milani do të provojë sërish në janar të realizojë me sukses këtë operacion. Maldini dhe Massara janë duke punuar intensivisht për të gjetur marrëveshjen me Chelsea-n sa më shpejt, duke parë që Ziyech po bën mjaft performanca të mira në botëror me përfaqësuesen e Marokut, çfarë mund të shtojë vlerën e tij në merkato, por edhe konkurencën. Përgjegjësit e merkatos së kampionëve të Italisë do të jenë në Katar për të zhvilluar disa takime të rëndësishme, përpara se skuadra kuqezi të grumbullohet për të filluar përgatitjet për vijimin e sezonit në janar. Maldini kërkon t’i garantojë Ziyech se tek kuqezinjtë do të ketë një rol prej lideri, ku i garantohet edhe formacioni titullar, diçka që 29-vjeçari e ka si kusht të rëndësishëm për largimin e tij. Duke i garantuar diçka të tillë, Maldini mund të shtynte lojtarin nga Maroku të ulë edhe pagën e tij, pasi Milani për momentin nuk mund t’i sigurojë një kontratë të ngjashme me atë që fantazisti ka me Chelsea-n. Tek Milani shpresojnë të mbyllin një marrëveshje paraprake, pa u mbyllur ende botërori, ndërkohë që vijon puna edhe për rinovimet. Leao ka rënë dakord rreth disa kushteve të vendosura nga kuqezinjtë, kurse gjërat po shkojnë në mënyrën e duhur edhe me Bennacer, pasi ky i fundit ka ndërruar agjentin e tij.