Serie A, Milan, Tonali rrezikon të mungojë deri në 20 ditë, por do të jetë në derbi

Sport

Dëmtimi i Sandro Tonalit në çastet e para të ndeshjes miqësore të Milani me Pergolettese-n, ka shqetësuar jo pak stafin dhe tifozët e kuqezinjve. Mesfushori u zëvendësua në atë që u aludua të ishte një problem muskulor, teksa duket thuajse e sigurt mungesa e tij në ndeshjen hapëse të sezonit të ri në ‘Serie A’ kundër Udinese-s.

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Tonali rrezikon të mungojë rreth 20 ditë, por kjo do të përcaktohet në mënyrë të saktë në ditët në vijim, me 22-vjeçarin që do t’i nënshtrohet testeve rregullisht. Ajo që ka më shumë rëndësi për momentin për kampin kuqezi, është se Tonali gjithësesi nuk e rrezikon pjesëmarrjen në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, në derbin ndaj Interit më 3 shtator. Sido që të dalin analizat për shkallën e dëmtimit të mesfushorit, gjasat janë që ai të lihet pushim në dy takimet e para në ‘Serie A’, në mënyrë që të vijë në formën e tij më të mirë në derbi.

Veç Tonalit, pritet të rishihet edhe situata e Olivier Giroud. Edhe sulmuesi francez hasi një problem muskulor dhe njësoj si mesfushori, do t’i nënshtrohet disa analizave. Gjithësesi, në rastin e Giroud nuk duket se kemi të bëjmë me diçka serioze. 35-vjeçari ka patur thjesht nevojë për pak pushim e për këtë arsye, nuk është aktivizuar nga Pioli në miqësoret ndaj Vicenza-s dhe Pergolettese-s. Është rikuperuar Junior Messias, që ka lënë pas dëmtimin në kavilje dhe do të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Udinese-s. Miqësorja ndaj Pergolettese-s u fitua nga kuqezinjtë 7-1, në një takim ku vëmendjen më të madhe e mori afrimi i ri i merkatos, Charles De Ketelaere, i cili u prezantua me një tripletë.